Fillon projekti Përmirësimi i përafrimit të legjislacionit dhe koherenca e Kornizës Ligjore\"
Prishtinë, 27 mars Zëvendësministri i Drejtësisë, Abdyl Ymeri ka marrë pjesë në një tryezë të organizuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë me rastin e lansimit të projektit të binjakëzimit Përmirësimi i përafrimit të legjislacionit dhe koherenca e Kornizës Ligjore\".
Në këtë takim u prezantuan objektivat e bashkëpunimit të mëtejmë në mes Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar.
Zëvendësministri Ymeri tha se ky projekt synon të fuqizojë sundimin e ligjit në Kosovë duke zvogëluar fragmentimin e kornizës aktuale ligjore dhe duke rritur kapacitetet e prodhimit të legjislacionit në linjë me Acquis të BE-së dhe praktikat më të mira.
Ymeri shtoi se ky projekt synon edhe rritjen e aftësive të Ministrisë së Drejtësisë për të kryer procedurat e pastrimit ligjor në të ardhmen dhe për të hartuar ligje në pajtim me Acquis të BE-së me synimin që të krijojë parakushtet për një databazë, e cila do të ndihmojë evitimin e kohezionit legjislativ dhe përdorimin më të lehte të legjislacionit ekzistues.
Ky projekt është plotësisht në harmoni me objektivat e Ministrisë së Drejtësisë dhe plotëson një hapësirë jetike për vënien e praktikave evropiane në hartimin e legjislacionit dhe përfundimisht do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës tha Ymeri.
Në këtë takim ka marrë pjesë Kryesuesi i Cooperatives në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Christof Stock dhe përfaqësues tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.