Filloi trajnimi Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës
Prishtinë, 18 gusht - Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ka filluar trajnimi dhjetë javor Shkolla e Stafit Policor dhe Komandës, ku do të marrin pjesë 42 udhëheqës të lartë të policisë nga të gjitha vendet e rajonit.
Këtë trajnim përveç përfaqësuesve të lartë të Policisë së Kosovës, do ta ndjekin edhe përfaqësues të lartë nga policia e Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se trajnimi i përbashkët i oficerëve policorë nga vendet e rajonit do të mundësojë thellimin e bashkëpunimit me qëllim të sigurimit të një ambienti të qetë dhe të sigurt.
Ky model i trajnimeve duhet të jetë edhe model i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit, tha Rexhepi.
Ai falënderoi ICITAP-in dhe qeverinë amerikane për përkrahjen e vazhdueshme që po i japin Kosovës në gjitha fushat.
Organizimin e këtij trajnimi e vlerësoi lartë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Ai tha se ndjekja e këtij kursi, do tu ndihmojë pjesëtarëve të sigurisë publike që të fitojnë njohuri edhe më shumë në fushën e tyre.
Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Akademisë Ismail Smakiqi, tha se mbajtja e këtij trajnimi e bënë Akademinë edhe më të besueshme për vendet e regjionit dhe partnerët e saj, hap perspektivw të partneritetit me të gjitha institucionet akademike të ngjashme në regjion dhe më gjerë.
Dimensioni regjional i Shkollës Ndërkombëtare e bën të pakrahasueshëm këtë kurs dhjetë javor, aq më parë kur mbahet nga Universiteti Northwestern, lider i Universiteteve të Sigurisë Publike në botë, u shpreh Smakiqi.
Ky trajnim është organizuar nga ICITAP-i, ndërsa ligjërues do të jenë nga Universiteti Northwestern