15 Janar 2025

Filloi fushata për promovimin e regjistrit të diasporës

Prishtinë, 21 qershor - Me një ngjarje solemne, ku ishin të pranishëm presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, ministri i Diasporës, Valon Murati, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare që operojnë në Kosovë, Ministria e Diasporës e filloi fushatën gjithëpërfshirëse për promovimin e regjistrit të diasporës.

Në fjalën e tij të hapjes, ministri i Diasporës, Valon Murati, foli për qëllimin e kësaj fushate. Sipas tij, projektet që kanë të bëjnë me diasporën janë projekte me interes kombëtar, prandaj i falënderoi të gjithë aktorët politikë, duke filluar nga presidentja Jahjaga, kolegët ministrat dhe anëtarët e komisionit parlamentar për punë të jashtme për përkrahjen e tyre.

Qëllimi i fushatës është informimi i bashkatdhetarëve për rëndësinë e regjistrit të diasporës.

“Ky projekt është iniciuar në mënyrë që institucionet e Republikës së Kosovës të ofrojnë shërbime më efikase për bashkatdhetarët, të zhvillojnë politika më të mira për mërgatën, ta bëjnë më të lehtë shpërndarjen e informatave, të inkurajojnë pjesëmarrjen dhe përfshirjen e diasporës në zhvillimin socio-ekonomik të vendit dhe të ofrojnë mundësi për transferimin e dijes”, tha z. Murati.

Po ashtu, ai theksoi se me anë të regjistrit institucionet e Republikës së Kosovës i krijojnë mekanizmat për ruajtjen e identitetit dhe përmirësimin e organizimit të mësimit të gjuhës për fëmijët. Ministri Murati, më tutje, tha se nëpërmjet regjistrimit dëshirohet tё krijohet partneriteti mes vendeve ku bashkatdhetarët jetojnë dhe Kosovës, si dhe partneriteti mes organizatave të diasporës dhe institucioneve të Kosovës. Ky regjistrim do të ndihmojë në rrjetëzimin efikas të bizneseve, të të rinjve, të profesionistëve, etj., tha z. Murati.

“Slogani ynë sivjet është “TI JE PJESË E ATDHEUT”, sepse është e vërtetë se diaspora jonё pothuajse është pjesa më e rëndësishme e atdheut. Ne jemi një dhe vetëm si të tillë mund t’i zgjidhim së bashku problemet dhe sfidat që i kemi përpara”, - tha në përfundim të fjalës së tij ministri i Diasporës, z. Valon Murati.

Kjo fushatë do të zgjasë për një periudhë  tremujore, me aktivitete të ndryshme, në gjithë territorin e Kosovës. Bashkatdhetarët që e vizitojnë Kosovën, do të kenë mundësi të regjistrohen në ekipet mobile nëpër qytetet e Kosovës.

Ata, po ashtu, do të kenë mundësi  ta vizitojnë uebfaqen www.rdks.info dhe të regjistrohen në mënyrë digjitale. Fushata mbështetet nga projekti “Përfshirja e diasporës në zhvillim ekonomik (DEED)”, i financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Finlandës, që zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), misioni në Kosovë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)