Figliuolo e Stojanoviç bisedojnë për bashkëpunimin e ndërsjellë
Prishtinë, 8 nëntor - Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajori Francesco Paolo Figliuolo, dje takoi Kryetarin e Komunës së Graçanicës, Branimir Stojanoviç, në vazhdën e diskutimeve të rregullta të cilat ai i realizon me autoritetet komunale të Kosovës.
Komandanti i KFOR-it realizon këto takime me qëllim të përforcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, brenda kornizës së objektivave operacionale të KFOR-it, me qëllim të sigurimit të lirisë së lëvizjes dhe mjedisit të qetë dhe të sigurt anekënd Kosovës.
Temat kryesore të diskutimit ishin projektet dhe perspektiva e përmirësimit të mirëqenies, infrastrukturës dhe zhvillimit bujqësor në Graçanicë dhe në fshatrat përreth saj.
Siç tha Kryetari i Komunës, KFOR-i është partner i paanshëm dhe i besueshëm i cili ka rol themelor në përkrahjen e të gjitha komuniteteve pakicë. Komandanti i KFOR-it pohoi se bashkëjetesa paqësore dhe toleranca në Graçanicë, e cila është enklava më e madhe e Serbëve të Kosovës në Kosovën jugore, është shembull i qartë që duhet të ndiqet me qëllim të promovimit të zhvillimit të komunitetit lokal.
Në fund, Kryetari i Komunës shoqëroi Komandantin e KFOR-it në shkollën Mbreti Millutin ku kohëve të fundit u largua mozaiku 6.4 metra i gjatë dhe 3.8 metra i gjerë nga oborri jashtë objektit, dhe u vendos në pozitën vertikale në atriumin e hapur.
Monumenti paraqet një pikturë të Simonidës, e cila ishte bashkëshortja e Mbretit Millutin të shekullit 14, i cili e ndërtoi Manastirin e Graçanicës në vitin 1321. Zhvendosja e mozaikut u projektua dhe u realizua nga KFOR-i, pas kërkesës nga komuna të bërë para dy muajve.