Festohet 13 vjetori i Policisë së Kosovës
Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësuesit më të lartë të vendit ; Presidentja e Kosovës znj. Atifete Jahjaga , Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, ministra e shumë personalitete të larta të vendit si nga institucionet e Kosovës dhe misione ndërkombëtare po ashtu edhe nga shërbimet diplomatike të akredituara në Kosovë si dhe familjarë të policëve të rënë në detyrë.
Kryeministri Hashim Thaçi më këtë rast ka thënë së 13 vite më parë filloi trajnimin gjenerata e parë e Policisë së Kosovës e cila numëroi 176 pjesëtar të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës si policët e parë të këtij Shërbimi.
Policia e Kosovës sipas tij është njëra ndër institucionet që gëzon besimin më të lartë nga qytetarët, por kjo është falë punës së juaj të palodhshme, por mbi të gjitha profesionale.
Të ofroni siguri për qytetarët tanë kudo që janë ata, dhe të jeni në gatishmëri të ruani territorin e shtetit tonë në çdo cep të vendit! , porositi kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Të gjitha institucionet dhe strukturat e sigurisë në Kosovë sipas tij janë ndërtuar dhe strukturuar në përputhje të plotë me standardet më të avancuara ndërkombëtare, në bashkëpunim të plotë me NATO-n, dhe organizmat e tjerë ndërkombëtar.
Ndërsa Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ka theksuar se Policia e Kosovës është një institucion me të cilin krenohemi dhe qytetarët kanë besim që i ndihmojnë dhe i marrin ne përkujdesje, duke qenë bijë dhe bija të këtij populli, duke kryer detyrën si një mision me standarde të larta profesionale dhe njerëzore.
"Policia e Kosovës në organizim, në pajisje, në strukturë sot është e një niveli me policitë më të avancuara dhe më profesionale bashkëkohore. Si në asnjë vend tjetër raporti ndërmjet policit dhe qytetarit në Republikën e Kosovës është shembull i respektimit të dinjitetit, shembull i respektimit të procedurave ligjore dhe shembull i besimit të ndërsjellë dhe i mirëkuptimit", ka theksuar Jahajaga.
Në fjalimin e saj drejtuar audiencës lidhur me këtë ngjarje presidentja e vendit znj. Atifete Jahjaga ka thënë se manifestimi i sotëm të gjithëve na jep nderë dhe krenari, sepse po shënojmë ditën e themelimit të institucionit më të besueshëm në Kosovë dhe institucionit, që na bënë të krenohemi të gjithëve.
Policia e Kosovës është njëra ndër institucionet që gëzon besimin më të lartë nga qytetarët, por kjo është falë punës së juaj të palodhshme, por mbi të gjitha profesionale tha në fjalimin e tij kryeministri i vendit z Hashim Thaçi .
Nga ana tjetër Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi foli për rolin pozitiv që po luan Policia e Kosovës në proceset integruese të Kosovës.Policia e Kosovës po ofron kontributin edhe në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në , duke ndërmarrë operacione të suksesshme në luftë kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe formave të tjera të krimit të organizuar- tha Ministri i Punëve të Brendshme,z. Bajram Rexhepi.
Drejtori i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni në fjalimin e tij u zotua për ngritjen e cilësisë së shërbimit për të gjithë qytetarët me qellim të ruajtjes dhe respektim të drejtave individuale dhe dinjitetit njerëzorë.
Policia e Kosovës ka arritur rezultate të mëdha në parandalimin dhe luftimin e krimit e veçanërisht të krimit të organizuar, drogave, trafikimit me qenie njerëzore, kontrabandës të të gjitha llojeve, menaxhimin dhe kontrollin më efikas të kufirit shtetëror tha Maxhuni në fjalimin e tij.
Më tutje ai duke ju drejtuar familjarëve të policëve të renë në detyrë shtoi se është një nderë i veçantë që sot së bashku me ju ndajmë krenarinë për më të dashurit tuaj që i shërbyen vendit fisnikërisht me guximin e tyre, modestinë, vendosmërinë dhe përkushtimin,ne sot i kujtojmë me mburrje dhe krenari që i patëm kolegë dhe miq. Për ne ata gjithmonë do të mbeten të paharruar dhe sakrifica e tyre do të jetë motiv dhe mësim në rrugëtimin që duhet ndjekur të gjithë pjesëtarët e policisë në përmbushjen e detyrave të shenjta .
Me rastin e këtij përvjetori nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së bashku me krerët me të lartë të shtetit dhe familjarët është zbuluar edhe lapidari i heroit të Kosovës Enver Zymeri lapidar ky i cili është vendosur në hapësirën e Policisë së Kosovës në Drejtorinë e Përgjithshme të policisë
Gjatë kësaj ceremonie janë dekoruar njëmbëdhjetë zyrtarë policorë, katër prej tyre me medalje për Shpëtim jete, gjashtë me medalje Mburojë e Policisë dhe një Medalje policore për Lavdim, gjithashtu një letër falënderimi i është dhënë shoqatës Miqtë e Amerikës për bashkëpunim dhe ndihmën e ofruar për punonjësit e policisë dhe familjarët e policëve të rënë në kryerje të detyrës zyrtare.