10 Maj 2024

Festat kalojnë pa incidente në Mitrovicë

Mitrovicë, 9 janar - Situata e sigurisë në Mitrovicë gjatë festave të fundvitit ka qenë e qetë, përkundër disa incidenteve që kanë ndodhur në veri.

Kështu u vlerësua të mërkurën në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, theksoi se përgjithësisht gjendja ka qenë e qetë gjatë ditëve të fundit. Për këtë ai falënderoi punën e mirë të strukturave të sigurisë, si Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in.

Ai tha se në Mitrovicë vazhdon të jetë problem mungesa e qasjes së lirë në pronat private në veri nga qytetarët shqiptarë.

Gjithashtu ai përmendi edhe barrikadën mbi urën e Ibrit, e cila është duke krijuar imazh të keq për Kosovën.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se qytetarët në veri kanë qenë të shqetësuar gjatë festës së Krishtlindjeve Ortodokse, meqë ka pasur shumë të shtëna me armë.

“Nuk ka pasur incidente, por të shtënat kanë shqetësuar qytetarët në atë pjesë të qytetit”.

Ai tha se kohëve të fundit ka ankesa të mëdha nga qytetarët edhe për rrezikun nga qentë endacakë.

“Duke qenë se ligji e ndalon eliminimin fizik të tyre kemi kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të na lejoj një gjë të tillë, meqë nuk kemi mundësi që me mjete të tjera të zvogëlojmë rrezikun prej qenve endacakë”.

Ndërsa, komandanti i stacionit jugor të policisë, Avni Zabeli tha se për dallim prej viteve tjera sivjet ka pasur më pak të lënduar me mjete piroteknike.

“Gjatë festave të fundvitit ka pasur vetëm tre raste që janë regjistruar të lënduar me mjete piroteknike”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)