Ferizaji vërshohet nga ujrat, Muharrem Svarqa nuk lëviz nga zyra
Prishtinë, 29 prill - Lëvizja Vetëvendosje!, Qendra në Ferizaj, lidhur me vërshimet e tokave bujqësore në fshatrat Tërrn dhe Lubofc, pasi ka parë situatën nga afër dhe ka analizuar gjendjen në terrën, ka bindjen se është paaftësi e institucioneve përgjegjëse, kryesisht të administratës komunale, për të zgjidhur këtë problem.
Gjithashtu sipas Vetëvendosjes si rezultat i paaftësive të qeverisjes komunale gjatë ditës së hënë është përfshirë nga vërshimet edhe Rruga Remzi Hoxha para Ambulancës Rajonale në qytetin e Ferizajt.
Dëmet e qytetarëve sipas VV janë të konsiderueshme dhe kërkojnë zgjidhje sa më të shpejt. Kryetari i Komunës se Ferizajit, është dashur që deri tash të paktën të realizonte një takim urgjent me Kryetarët e Komunave të Shtimes dhe Lipjanit për të koordinuar veprimet për çështjen e vërshimeve, referuar nevojës emergjente që kanë banorët e këtyre zonave.
\"Por Komuna Ferizaj jo vetëm që nuk e ka bërë këtë por përkundrazi, edhe brenda në qytet i është shfaqur problemi e përgjatë gjithë ditës së djeshme nuk është marrë asnjë masë.\"
\"Si ç\'është tipike për qeverisjet e LDK-së, edhe qeverisja në Ferizaj, karakterizohet nga një apati totale përballë shërbimeve të qytetarëve dhe një zell të veçantë për punësimin e familjarëve dhe përdorimin e metodave abuzive në administrimin e të mirave publike.\"
\"Edhe pse jemi të bindur që qeverisja aktuale e LDK-së në Ferizaj nuk ka kurrfarë ndjeshmërie përballë problemeve të qytetarëve, kërkojmë që në mënyrë urgjente të ndërhyhet për riparimin e defekteve në rrugën Remzi Hoxha dhe rrugët e tjera si kjo që janë vërshuar gjatë ditës së djeshme nga uji, ngase ky mbi të gjitha është detyrim ligjor i pashmangshëm\", thekson VV.