Fëmijët nuk kanë nevojë ta njohin dhunën
Prishtinë, 20 tetor - Koalicioni i OJQve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë KOMF me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbajti tryezën në kuadër të javës për të drejtat e viktimave.
Duke u nisur nga motoja e javës Fëmijët nuk kanë nevojë ta njohin dhunën, tryeza pati për qëllim për diskutimin e përbashkët të të gjitha institucioneve relevante, shoqërisë civile, medias dhe publikun e gjerë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave, të drejtat e viktimave, pasojat e dhunës mbi viktimat dhe kompensimin e dëmit ndaj tyre.
Në panelin për diskutim ishin të pranishëm Besim Kelmendi nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Basri Kastrati nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, John Mulkeen, prokuror nga ShBA, Muhamet Gjocaj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe dhe Nehat Idrizi nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Për rolin e Zyrës së Prokurorit të Shtetit në mbrojtjen e viktimave foli Besim Kelmendi nga Zyra e Prokurorit të Shtetit.
Kjo javë që është organizuar nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, është një javë më rendësi, jo vetëm për viktimat e krimit por për të gjithë ne që në çfarëdo forme merremi me trajtimin e rasteve të viktimave të krimit, sepse kjo javë duhet të shërbej si sensibilizim i të gjithë neve, që të trajtojmë me kujdesin më të madh rastet e viktimave të krimit në përgjithësi dhe rastet kur fëmijët janë viktima të krimit në veçanti, ngase kjo kategori e viktimave është më e ndjeshme për shkak të moshës dhe zhvillimit psiko fizik të tyre.
Përderisa, menaxheri i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave të Krimit, Basri Kastrati, tha se kjo zyrë, gjithnjë e më shumë vazhdon të përfaqësojë të drejtat e viktimave dhe numrin e madh të rasteve.
Që nga viti 2013, mbrojtësit e viktimave më nuk janë vetëm shoqërues të viktimave dhe njoftues, por ata edhe përfaqësojnë rastet. Numri i tyre është mjaftë i madh dhe i kalon 1,300 raste.
Prokurori nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës John Mulkeen, në konferencën e sotme ndau përvojat e tij në rastet e dhunës ndaj viktimave fëmijë. Fillimisht ai u foli për mekanizmat që merren me mbrojtjen dhe ndihmën e viktimave fëmijë të krimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ne kemi stafin që punojnë 7 ditë në jave dhe 24 orë në ditë, kemi agjencinë për mbrojtje të viktimave. Z. Mulkeen u deklarua për rolin e prokurorit dhe praktikat e tij në trajtimin e rasteve kur viktima të krimit ishin fëmijë, se si duhet të familjarizohet fëmija me metodat dhe teknikat e intervistimit, marrjes në pyetje dhe deri të familjarizimi i tij me dhomën e intervistimit.
Përfaqësuesi nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Muhamet Gjocaj, u fokusua në rolin e Ministrisë në mbrojtjen e viktimave dhe nevojën për buxhet për komunat për shërbimet sociale.
Ndërsa, anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Nehat Idrizi, deklaroi për procedurat e kompensimit të dëmit ndaj viktimave dhe aktivizimin e fondit për kompensim të viktimave në vitin e ardhshëm.
Rekomandimet kryesore të dala nga tryeza ishin:
· Të punohet me shumë në parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve;
· Krijimi i një granti specifik për shërbime sociale në kuadër të komunave, në mënyrë që Qendrat për Punë Sociale të mund të ofrojnë shërbime cilësore ndaj fëmijëve viktima;
· Zbatimi i ligjit për kompensimin e viktimave;
· Ngritja e kapaciteteve të zyrtarëve përmes trajnimeve në intervistimin dhe trajtimin e fëmijëve viktima;
· Përfshirja e psikologëve në kuadër të policisë, prokurorisë dhe gjykatave gjatë intervisitimit të fëmijëve viktima.
Gjithashtu të pranishëm në diskutim ishin përfaqësues nga Prokuroria, Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Gjyqësori, Qendrat për Punë Sociale, Policia e Kosovës, ministritë përkatëse, OJQ, e të tjerë.