12 Maj 2024

FDH shqetësohet për presionet ndaj EULEX-it

Prishtinë, 13 qershor - Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH) shpreh shqetësimin për ngjarjet e fundit dhe thirrjet publike kundër punës së EULEX-it, e në veçanti kundër procedimit të disa lëndëve për krime lufte.

Në letrën e tyre të hapur me titullin “Cili është misioni i misionit tuaj?”, dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Berat Buzhala dhe Lutfi Haziri, i janë drejtuar shefit të misionit të EULEX-it, Bernd Borchardt, duke shprehur pakënaqësinë dhe kritikat e tyre në lidhje me hetimin dhe ngritjen e akuzave për krime lufte ndaj ish komandantëve të UÇK-së.

Reagim ndaj punës së EULEX-it kanë edhe Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Shoqata e familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, të cilat më 12 qershor kanë vendosur në bilborde mesazhe kritike për misionin e sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë. Ditë më parë ka pasur edhe zëra që kanë bërë ftesë që të rishqyrtohet mandati i EULEX-it, shkruan Koha Ditore.

Në një komunikatë për opinion, FDH Kosovë shprehet që mendon se këto reagime ndaj EULEX-it janë ndërhyrje e drejtpërdrejtë në çështjet e drejtësisë dhe është presion publik ndaj këtij misioni, duke penguar në mënyrë indirekte sundimin e ligjit.

“Duke pasur parasysh që prokurorët dhe gjykatësit vendorë ende nuk janë të gatshëm të procedojnë me rastet e tilla, FDH Kosovë kërkon që të ndalet presioni ndaj EULEX-it. Drejtësia nuk mund të kushtëzohet dhe as të jetë përzgjedhëse. Ndërhyrja në punët e gjyqësorit rrezikon paanshmërinë e tij, si dhe zbeh besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Të gjitha krimet e luftës duhet ndëshkuar sipas ligjit, pa marrë parasysh peshën e tyre. Rikujtojmë se njëra nga dispozitat themelore të Kushtetutës së Kosovës është edhe ndarja e pushtetit që po ashtu paraqet edhe themelin bazë të një shteti demokratik, gjegjësisht neni 4, paragrafi 5, ku thuhet qartë se ‘Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat’”.

FDH Kosovë, organizatë e cila monitoron gjykimet për krime të luftës në Kosovë, është e pakënaqur me numrin e lëndëve të proceduara për krime të luftës në Kosovë dhe i bën thirrje EULEX-it që të intensifikojë punën në mënyrë që sa më shumë kryerës të krimeve të luftës të vihen para drejtësisë, pa marrë parasysh se cilit komunitet i takojnë kryerësit e veprave apo viktimat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)