Fati i EULEX do vendoset pas qershorit në Bruksel
Prishtinë, 23 dhjetor - Vazhdimi i qëndrimit të EULEX në Kosovë pas qershorit 2014, kur i përfundon dhe mandati, do të vendoset në Bruksel.
Lajmin e ka bërë të ditur shefi i misionit evropian për rendin dhe ligjin, Bernd Borchardt, i cili në një intervistë për RTK ka theksuar se gjithçka do të vendoset mes Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Kosovës.
Lidhur me mandatin e ri të EULEX-it do të diskutohet dhe do të arrihet një marrëveshje mes BE-së dhe qeverisë së Kosovës. Gjetja e kompromisit është një proces i komplikuar që pasqyron një numër zhvillimesh të rëndësishme mes Kosovës dhe BE-së, ka deklaruar Borchardt.
Ai ka vlerësuar se 2013 ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për Kosovën në zhvillimin e marrëdhënieve me BE-në, duke e vënë theksin tek nisja e negociatave për nënshkrimin e MSA-së.
Edhe negociatat për liberalizimin e vizave janë duke u zhvilluar dhe, çështë më e rëndësishmja, me ndërmjetësimin e BE-së janë arritur shumë marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës, ka nënvizuar Borchardt, i cili ka sqaruar edhe rolin e EULEX në këtë drejtim.
Misioni ynë është shumë i angazhuar për të ndihmuar në zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Prandaj, ekziston nevoja për një përqasje të re, e cila merr parasysh qëndrimet e qeverisë së Kosovës, ka vijuar Borchardt.