Farina përfundon shërbimin në Republikën e Kosovës
Prishtinë, 1 shtator - Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), sot mbajti ceremoni ushtarake për nderë të komandantit të KFRO-it, gjeneral major Salvatore Farina, me rastin e përfundimit të misionit të tij në Republikën e Kosovës.
Në aktivitetin festiv që u mbajt në MFSK sot ishin rreshtuar: Togu Ceremonial i FSK-së, Kuadratet e Njësive të FSK-së, si dhe Trupa muzikore e FSK-së.
Në fjalën e rastit ministri i ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku tha se gjeneral major Salvatore Farina ishte një komandant i vërtetë dhe koleg i respektuar dhe profesional si dhe përfaqësues shembullore i Forcave të Armatosura Italiane.
Ai tha se gjeneral Farina me punën e tij të devotshme dhe më përkushtim të plotë ka treguar që është një mik i vërtet dhe i sinqertë i Kosovës dhe popullit të saj.
Ministri Çeku çmoi lartë punën e gjeneralit italian dhe tha se: Si komandant i KFOR-it, bashkëpunimi i juaj ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme edhe në implementimin e suksesshëm të një numri të projekteve dhe iniciativave të Kosovës.
Ai po ashtu falënderoi të gjitha shtetet që kanë kontribuar me dërgimin e trupave të tyre në misionin e KFOR-it dhe tha se: së bashku kemi bërë hapa të mëdhenj për ta fuqizuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Përpjekjet tona kanë bërë që Kosova të zhvillohet drejtë qëllimit të saj të integrimeve Euro-Atlantike.
Në fund, ministri Agim Çeku në emër të MFSK-së dhe FSK i ndau gjeneral major Salvatore Farina, medaljen Shërbim i Shquar, me motivacion: Për mbështetjen e tij të jashtëzakonshme gjatë shërbimit si komandant i KFOR-it në Prishtinë. Vizioni strategjik, lidershipi dhe përkushtimi i tij ishin thelbësor në ndihmën e ofruar Forcës së Sigurisë së Kosovës në zhvillimin e kapaciteteve të saja.
Gjeneral major Salvatore Farina komandant i KFOR-it në Kosovë, pasi pranoi medaljen Shërbim i Shquar tha që kam pak emocione, por me një kënaqësi të veçantë e marrë këtë shpërblim. Unë do të doja të falënderojë për konsideratën tuaj.
Ky nuk është vetëm një shpërblim për mua, por kjo mirënjohje është për punën e madhe të bashkëpunimit me KFOR-in, Ekipi Ndërlidhës Këshillues i NATO-s (NLAT), MFSK-së dhe ushtarët e FSK-së.
Kam qenë i bekuar dhe ka qenë privilegj për mua të udhëheqë këtë forcë profesionale dhe të aftë, por në të njëjtën kohë të punojë krah për krah me këta profesionistë të mëdhenj, me liderë politikë dhe ushtarak, po ashtu edhe me këta ushtarë të rijnë para meje.
Në ceremoninë lamtumirës për gjeneral Farinën morën pjesë: ministri i ministrisë së Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, drejtori i AKI-së Bashkim Smaka, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, zëvendëskomandanti i FSK-së gjeneral major Rrahman Rama, sekretari i përgjithshëm Shkelzen Sylaj, gjeneral brigade Zymer Halimi, gjeneral brigade Enver Cikaqi, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, ambasadori i Italisë në Kosovë Andreas Ferrarese, gjeneral dhe oficerë të KFOR-it, atashe ushtarak, oficerë dhe zyrtarë të lartë të MFSK dhe FSK.
Gjeneral major Salvatore Farina ishte emëruar komandant i KFOR-it në Kosovë që nga viti 2013. Pasardhësi i tij në detyrë është emëruar gjeneral major Francesko Paolo Figliuolo.