28 Prill 2024

Familja kërkon të ndriçohet vrasja e Enver Malokut

Prishtinë, 11 janar - Në 14-vjetorin e vrasjes së Enver Malokut, ish-shef i Qendrës për Informim të Kosovës, familja e tij ka dërguar një letër publike, ku kërkon nga organet vendëse dhe ndërkombëtare të drejtësisë, që të fillojnë sa më shpejt punën për ndriçimin e kësaj vrasjeje monstruoze.

“Familja jonë ka kaluar 14 vjet në pritje të ndonjë hapi konkret të institucioneve sa i përket zbulimit të vrasjes enigmatike të Enver Malokut, por, fatkeqësisht, deri më sot, gjithçka ka mbetur në nivelin deklarativ kryesisht në raste përvjetorësh dhe në kohë fushatash zgjedhore”, theksohet në letër.

Dhjetëra familje në Kosovë, siç theksohet më tutje në letër, janë lodhur nga deklaratat e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë të vendit përfshirë krerëve shtetërorë e partiakë, në lidhje me vrasjet politike e krimet e luftës.

“Ka ardhur koha që të thyhet miti i heshtjes dhe autorët e këtyre krimeve makabre ndaj aktivistëve më të dalluar të Lëvizjes për Liri e Pavarësi, të marrin dënimet më të ashpra nga drejtësia”.

Familja Maloku pret që institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë, të fillojnë sa më shpejt ndriçimin e vrasjes monstruoze ndaj Enver Malokut, e cila ndodhi më 11 janar të 99-s në sy të gruas e fëmijëve.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjitha organet e hetuesisë në lidhje me rastin, në mënyrë që kjo vrasje dhe dhjetëra të tjera që kanë ndodhur në Kosovë të mos mbeten të pazbuluara. Famlja e Enverit e kundërshton çdo shpërdorim të këtij rasti për poenë politikë dhe kërkon drejtësi për ekzekutorët dhe porositësit e kësaj vrasjeje”, thuhet më tej në letër.

“Njëherësh, në këtë përvjetor të katërmbëdhjetë pa më të dashurin tonë, falënderojmë të gjithë miqtë brenda dhe jashtë Kosovës që kanë qëndruar pranë nesh në kohë të vështira”, përfundon letra e familjes të Enver Malokut. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)