Familja e shokuar me lajmin për Sami Osmakac
Prishtinë, 11 janar - Time Osmankaj, halla e Sami Osmankac, thotë se është e shokuar nga lajmi që 25 vjeçari i lindur në Kosovë është akuzuar për komplot për sulm të inspiruar islamik në Shtetet e Bashkuara.
Time Osmankaj sot e ka përshkruar Samiun, që është shtetas i natyralizuar amerikan, si person “të qetë dhe argëtues”. Ajo i ka thënë për agjencinë e lajmeve Associated Press se ai është nga një “familje shumë e mirë”.
“Nuk besoj se ai e bëri atë për të cilën ata e akuzojnë”, tha Time Osmankaj dhe shtoi se “nuk ka pasur fëmijë më të mirë këtu”.
Autoritetet federale të Shteteve të Bashkuara e kanë akuzuar personin Sami Osmakac për komplot për t’i sulmuar me bomba klubet e natës në Tampa të Floridas dhe zyrën e sherifit, “në shenjë të hakmarrjes për të këqiat që po u bëhen myslimanëve”.
Familja Osmankaj gjendet në fshatin Lubizhdë, në pjesën jugperëndimore të Kosovës. Halla e tij thotë se Sami Osmankaj herën e fundit kishte qenë në Kosovë në tetor të vitit 2011.