Evakuohen dy grupe të shtetasve të Kosovës nga Siria
Prishtinë, 27 prill - Dy grupe me gjithsej 19 qytetarë të Kosovës, do të evakuohen nga Damasku i Sirisë, me datë 28, përkatësisht 29 prill 2011.
Pas përkeqësimit të situatës në këtë shtet, për shkak të trazirave politike dhe paralajmërimeve për protesta të reja masive, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, me ndihmën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Turqi, ka vendosur kontakte me qytetarët kosovarë që gjenden në Siri, duke bërë të mundur evidentimit dhe planifikimin e evakuimit të tyre në Kosovë.
Qytetarët e Kosovës do të evakuohen nga Damasku në dy grupe të ndara.
Grupi i parë parashihet të arrijë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me 28 prill 2011, në ora 13:40.
Grupi i dytë do të arrijë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, me datë 29 prill 2011, në ora 13:40.
Ministria e Punëve të Jashtme i bën thirrje të gjithë shtetasve kosovarë që të mos udhëtojnë për në Siri, kurse qytetarëve të Kosovës që gjenden në territorin e këtij shteti, që të largohen nga zonat e rrezikshme, derisa gjendja e sigurisë në këtë shtet të përmirësohet.
MPJ njofton të gjithë shtetasit, të cilët i kanë të afërmit e tyre në Siri të kontaktojnë Shtabin e Krizave të Ministrisë së Punëve të Jashtme në numrat: +381 38 200 11034; +377 44 414 377; +377 44 355292 ose në adresën elektronike: [email protected].
Po ashtu, shtetasit të cilët kanë të afërmit e tyre në Siri, mund të kontaktojnë edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Turqi në numrat tanë të telefonit: 0090312 446 70 54; 0090 507 754 56 70.