Evakuohen 19 shtetasit e parë nga Jemeni
Prishtinë, 22 mars - Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës sëKosovës, pas përkeqësimit të gjendjes së sigurisë në Jemen, do tëevakuojë 19 shtetasit e parë brenda kësaj jave nga ky shtet.
Shumica e të evakuuarve janë studentë, derisa Shtabi i Krizave në kuadër të MPJ-së është në kontakt të vazhdueshëm edhe me shtetasit e tjerë. MPJ ka kërkuar nga të gjithë shtetasit kosovarë që të mos udhëtojnë për në Jemen, përderisa ata që gjenden atje të largohen nga zonat e rrezikut, derisa gjendja e sigurisë në këtë shtet të përmirësohet.
Në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm të dhunës në Jemen, Republika e Kosovës ka marrë mbështetjen edhe të Republikës së Turqisë për evakuim emergjent të shtetasve kosovarë nga Jemeni bashkë me shtetasit e Turisë.
Ndërkohë, falë bashkëpunimit me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Ambasadës sonë në Turqi, MPJ ka bërë identifikimin e shtetasve kosovarë edhe në Siri, ku ditëve të fundit ka pasur përkeqësim të gjendjes të sigurisë.
Edhe në këtë shtet, MPJ ka identifikuar mbi 25 shtetas kosovarë, me të cilët jemi në kontakt të vazhdueshëm. Varësisht nga situata e sigurisë, MPJ do të bëjë evakuimin edhe të këtyre shtetasve.
MPJ njofton të gjithë shtetasit, të cilët i kanë të afërmit e tyre në Jemen dhe në Siri të kontaktojnë Shtabin e Krizave të Ministrisë së Punëve të Jashtme në numrat: +381 38 200 11034; +377 44 414 377; +377 44 355292 ose në adresën elektronike: [email protected].
Po ashtu, shtetasit të cilët kanë të afërmit e tyre në Jemen dhe në Siri, mund të kontaktojnë edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Turqi në numrat tanë të telefonit: 0090312 446 70 54; 0090 507 754 56 70.