EULEX: "Task Forca Veri" për të luftuar krimin e organizuar
Prishtinë, 5 janar - Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit nuk ka formuar njësi speciale për veriun e Kosovës por që nga nëntori i vitit të kaluar ka vënë në veprim të ashtuquajturën Iniciativën për Veriun e Mitrovicës-e njohur si Task Forca Veri, njoftuan zyrtarë të misionit EULEX.
Zëdhënësi, Hans-Kristian Klasing, ka deklaraur se task forca në fjalë përbëhet nga një staf prej 10 deri në 20 hetuesish të policisë së EULEX-it, atyre të doganave dhe prokurorëve të EULEX-it.
Ai tha se kjo njësi është themeluar për të luftuar krimin e organizuar dhe "krime të mëdha në veri të Kosovës" siç janë krimet ndër-etnike, rastet e lidhura me vrasje, grabitje të dhunshme, shkeljet lidhur me narkotikët, trafikim të qenieve njerëzore, krimet ekonomike etj.
Deklarata e tij vjen pasi mediat serbe njoftuan për krijimin e një task forcë speciale të EULEX-it për veriun e Kosovës.