EULEX nuk pranon më raste të reja të luftës dhe korrupsionit
Prishtinë, 8 janar - EULEX-i së shpejti do ta ndalë pranimin e rasteve të reja të krimeve të luftës dhe korrupsionit.
Një gjë e tillë do të ndodhë, posa të zyrtarizohet vendimi për ndryshimin e misionit e që pritet të merret më së largu në mes të muajit të ardhshëm.
Me ta marrë vendimin, strategjia për transformimin e misionit të BE-së, një kopje të së cilës e posedon gazeta, parasheh që misioni menjëherë ta ndalë marrjen e lëndëve të reja, pos në ndonjë rrethanë specifike.
Kjo gjendje do të zgjasë deri më 15 qershor, ditën kur zyrtarisht përfundon mandati aktual i EULEX-it, shkruan Tribuna.
Më 15 qershor, sipas strategjisë, në krye të Prokurorisë Speciale të Kosovës, që është prokuroria që merret me krimet e profilit të lartë, do të zgjidhet një prokuror vendës. Prej atij momenti, prokurorët ndërkombëtarë do të marrin raste vetëm pasi këtë ta ketë kërkuar një prokuror vendës.
/Tribuna/