EULEX ndërmjetëson ekstradimin e Kelmendit
Prishtinë, 7 maj - Misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, po ndërmjetëson ekstradimin e Naser Kelmendit nga Kosova në Bosnje e Hercegovinë.
Lajmin e bën të ditur REL, që citon burime pranë administratës së misionit evropian, i cili ka ndërhyrë për shkak të marrëdhënieve të komplikuara mes dy vendeve, meqenëse BeH nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
EULEX-i po lehtëson dhe po ndërmjetëson kontaktet ndërmjet BeH dhe Kosovës, me qëllim që të sillet dosja e ekstradimit, ka deklaruar Françoise Lambert, nga zyra e shtypit e misionit.
Kërkesa zyrtare që duhet të bëjnë autoritetet e Sarajevës për ekstradim ende nuk ka mbërritur në Prishtinë, ndërkohë që vetë Prishtina zyrtare nuk ka njoftuar formalisht autoritetet boshnjake për kapjen e Kelmendit.
Naser Kelmendi u arrestua mbrëmjen e së dielës në lagjen Mati 1 të Prishtinës. Bashkë me të në pranga ra edhe Fuad Nikçi, i cili dyshohet se ka ndihmuar Kelmendin që të fshihet nga autoritetet.
Nikçi thuhet se është shtetas i Malit të Zi, ndërsa vetë Kelmendi ka deklaruar para vëzhguesve të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut se është shtetas i Kosovës.
Ai ka kohë që dyshohet për drejtimin e një organizate kriminale të madhe që merret me trafikimin e heroinës, kokainës dhe anhidridit acetik, një lëndë e parë që përdoret në prodhimin e heroinës dhe në Evropë transportohet nëpërmjet Ballkanit.
Gjithashtu, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniku, si dhe vëllai i tij Beqiri, dyshohen se zotërojnë një numër të madh biznesesh në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh.