EULEX: Lushtaku të kthehet në burg
Prishtinë, 24 korrik - Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) kërkon kthimin në paraburgim të kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Bashkë me Lushtakun për trajtim shëndetësor në QKUK të shtunën e kaluar është dërguar edhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimi, të cilët që prej dy muajsh po mbahen në paraburgim në Burgun e Dubravës nën dyshimet për krime lufte.
Mësohet se EULEX, i cili po zhvillon hetimet ndaj dy ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ka kërkuar kthimin në paraburgim të Lushtakut, por që zyrtarët e EULEX-it gjatë ditës nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje nëse është lëshuar ndonjë urdhër për kthimin e kryetarit të Skenderajt në burg.
Zëdhënësi i EULEX-ut, Blerim Krasniqi, i kontaktuar nga gazeta nuk ka kthyer ndonjë përgjigje rreth kësaj çështje, derisa shefi i Repartit të Ortopedisë së përgjithshme në QKUK, doktor Sami Delijaj i ka konfirmuar Zërit se rreth orës 14 e 45 minuta ka pranuar një vendim të formës së prerë që Lushtakut ti ndërpritet qëndrimi në spital, me arsyetimin se i njëjti mund të trajtohet edhe në Burgun e Dubravës.
Ai ka thënë se pacienti i tij ka nevojë për trajtim të mëtutjeshëm, pasi që gjendja e tij shëndetësore nuk është stabile. Kemi marrë një vendim të formës së prerë nga gjykatësi i procedurës paraprake të EULEX-it që pacienti duhet të kthehet në Burgun e Dubravës.
/Zëri/