EULEX: Limajn e dua në burg
Prishtinë, 11 gusht - Misioni i Bashkimit Europian në Kosovë EULEX, e do Limajn në burg, ka apo sk a fakte ndaj tij. Një gjë të tillë e ka deklaruar prokurorja e EULEX-it, Isabelle Arner, hetuesve të rastit të Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit.
Nuk dua të di se a ka fakte apo nuk ka, unë thjesht e dua Limajn në burg, ka thënë ajo.
Këtë gjë e ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën Zëri, ish-oficeri i Policisë në Departamentin Ekzekutiv për krim të organizuar, krime lufte dhe terrorizëm në kuadër të EULEX-it, Troy Wilkinson, i cili është marrë ekskluzivisht me rastin Limaj.
Ai ka thënë se nuk ka pasur asnjë fakt të vetëm në lidhje me këtë rast. Wilkinson, i cili ka hetuar kompjuterat, serverët, disqet..., thotë se asnjë e dhënë e vetme nuk është fshirë në serverët e MTPT-së, ashtu siç është thënë nëpër media.
Ai ka thënë se misioni i BE-së për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, përzgjedhjen e rasteve për hetime e ka bërë në mënyrë selektive. Sipas tij, rasti Limaj është një prej shumë rasteve hetuese që EULEX ka bërë duke i përzgjedhur ato.
Amerikani i cili për gati dy vjet ka punuar edhe në UNMIK dhe po aq vjet edhe në EULEX, ka thënë se ndërhyrja e politikës në përzgjedhjen e rasteve është evidente, e sidomos e politikës ndërkombëtare.