EULEX ka zgjedhur kryeprokurorin për raportin e Dick Martit
Prishtinë, 26 gusht - EULEX-i ka zgjedhur Kryeprokurorin e Task Forcës që do të hetojë pretendimet e raportit të Dick Martit për trafikim organesh nga UÇK-ja.
Zgjedhja e pjesëtarëve të tjerë të këtij organi ende është në proces. Misioni Europian për Sundim të Ligjit në të ardhmen e afërt do të publikojë detaje të tjera.
Nëse me veriun e Kosovës shefi i Misionit të EULEX-it, Xavier Bout De Marnac, duket se i ka punët lëmsh, së paku në një pikë janë duke i shkuar punët vaj.
Misioni që drejton është në rrugë të mbarë në kompletimin e ekipit të hetuesve të Task Forcës, e cila bazuar në raportin e Dick Martit, përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, do të hetojnë dyshimet për trafikim organesh në Kosovë nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UCK).
Ato që ai i ka thënë në raportin e tij të rregullt dërguar Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, se deri në fund të verës kjo Task Forcë do të kompletohet, së shpejti pritet të bëhen edhe publike nga vetë Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në vend.
Express ka mësuar se përzgjedhja e personave nga ana e EULEX-it që do të angazhohen në këtë ekip hetuesish ende është duke vazhduar, por në këtë drejtim, së paku, shefi i kësaj Task Force, posti i të cilit do të quhet Kryeprokuror, tashmë është zgjedhur.
Identiteti dhe të dhëna të tjera për këtë person, EULEX pritet t`i bëjë publike në një të ardhme të afërt, ndërkohë që deri më tash janë intervistuar dhe janë kryer procedura me persona të ndryshëm.
Megjithëkëtë, këto procedura ende janë duke vazhduar ngase duhet të sqarohet për secilin person se kush ku duhet të punojë, ata që do të jenë pjesë e kësaj Task Force, kush duhet të marrë detyrën e hetuesit e kush të këshilltarit apo qartësime të tjera.
Pavarësisht kësaj, në raportin e EULEX-it për KS të OKB-së thuhet se Task Forca e BE-së për hetimin e tregtisë me organe në Kosovë pritet të operacionalizohet në fund të verës.