EULEX-it i zgjatet mandati deri në 2014-tën
Bruksel, 5 qershor - Qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian janë pajtuar që misioni i BE-së në Kosovë, EULEKS, të vazhdoj së paku deri në qershor të vitit 2014, duke premtuar se ai do të jetë më i fuqishëm, më i vogël dhe më efikas.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, baronesha Catherine Ahston ka përshëndetur vendimin e sotëm. Ajo ka theksuar se EULEX-i po bën punë të mirë dhe të rëndësishme në mbështetjen e sundimit të ligjit në Kosovë.
I inkurajoj autoritetet e Kosovës që të shfrytëzojnë përvojën e EULEX-it përderisa misioni po i adaptohet rrethanave të reja dhe dhe progresit të arritur, ka thënë baroensha Ashton, nëpërmjet kumtesës për media.
Ajo më tej citohet të ketë thënë se në të ardhmen, gjithnjë e më shumë përgjegjësi do marrin përsipër autoritete e Prishtinës zyrtare.
Në argumentimin e vendimit, Këshilli Evropian thekson se mandati i misionit mbetet i pandryshuar ndonëse në rrethanat aktuale ky mision po rikonfigurohet nga brenda.
Thuhet se qëllimi i këtij rikonfigurimi është bërja e misionit më të fuqishëm dhe më efikas. Sipas këtij rikonfigurimi është vendosur që misioni të zvogëlohet për 25 përqind dhe në këtë mënyrë që nga 15 qershori, EULEX-i do numërojë 1250 staf ndërkombëtar dhe 1000 lokal.
Duke pas parasysh se sfida më e madhe mbetet gjyqësia, nga Brukseli konfirmohet se ky segment do ketë vëmendjen më të madhe të EULEX-it, andaj edhe numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të tij për momentin do mbetet i paprekur.
Bashkimi Evropian gjithashtu ka konfirmuar se për vitin e parë të mandatit në vijim, për buxhetin e EULEX-it janë ndarë 111 milion euro.