EULEX-i sqaron ndalesën e hyrjes për serbët
Prishtinë, 29 maj - Misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, nuk do të provojë të ndalojë hyrjen e politikanëve serbë që hyjnë në Kosovë, thuhet në deklaratën e tyre të fundit.
Zëdhënësja e EULEX, Irina Gudaljeviq i ka thënë mediumit serb, B92 se njoftimi kontrovers, i bërë gjatë kësaj jave, i cili tani përshkruhet si kontroll i shtuar i delegacioneve nga Serbia që vijnë në Kosovë, u referohet kryesisht personave të armatosur që shoqërojnë politikanët.
Hyrja në Kosovë nuk do të lejohet me armë të cilat nuk janë aprovuar më herët, dhe të gjithë personat që bartin armë pa autorizim do të kthehet mbrapsht, tha zëdhënësja.
Kjo procedurë ka qenë e vendosur më shumë se një vjet më parë dhe është miratuar nga të gjitha palët e përfshira në vizitat e njoftuara paraprakisht nga zyrtarë të qeverisë serbe, dhe për vizitat e atyre që kërkojnë përcjellje policore. Presim që të gjithë tju përmbahen procedurave ekzistuese, tha Gudaljeviq.
Çfarë do të doja të theksoja është se kjo i prekë personat që hyjnë në Kosovë me armë si përcjellje e politikanëve, e jo qytetarët e Serbisë dhe vizitat private. Ekziston liria e lëvizjes për vizitat private dhe ata ndjekin masat e zakonshme, dhe mund të hyjnë në Kosovë lirshëm, shtoi ajo.
Të mërkurën, EULEX njoftoi se kishte futur në fuqi një ndalesë të hyrjes së paaprovuar në Kosovë për politikanët dhe zyrtarët serbë.