29 Dhjetor 2024

EULEX-i pranon se ka vështirësi në veri

Prishtinë, 25 prill - Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, po hyn në mandatin e tretë me radhë që i zgjat dy vjet, pa zgjidhur një problem që duhet ta adresonte që në fillimet e tij, ushtrimi i autoritetit në gjithë territorin e Kosovës.

Pas katër vjetësh funksionimi, misioni ka bërë shumë hetime, ka nisur procedura gjyqësore, por jo në gjithë territorin e Kosovës. Veriu i Kosovës ka mbetur zonë e ndaluar për EULEX-in.

Pamundësia e këtij misioni për të vepruar në pjesën më problematike të Kosovës, kanë shqetësuar vazhdimisht KFOR-in e NATO-n, deri në atë masë sa vetë sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike, u ankua edhe publikisht në pamundësinë e EULEX-it që të kryejë punën e tij.

Zyrtarët e misionit të EULEX-it nuk duan që të komentojnë deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Foght Rasmussen, por e pranojnë se në veri kanë vështirësi të zbatimit të mandatit.

“EULEX-i po përballet me rrethana të vështira në veri dhe po e përdor çdo mundësi për të zbatuar mandatin”, ka thënë zëdhënësja e këtij misioni Francoicse Lambert.

Por, dalja publike e sekretarit të NATO-s është vetëm kulmi i ankesave të vazhdueshme që KFOR-i, e edhe përfaqësuesit tjerë ndërkombëtarë kanë pasur për misionin. Të tilla ka pasur edhe Qeveria e Kosovës, e cila njëjtë si EULEX-i nuk funksionon në veri të Kosovës.

Misioni pritet që nga qershori të fillojë zbatimin e mandatit që do t`i zgjatet deri më 2014. BE-ja ka miratuar një rishikim strategjik të misionit, në bazë të një analize të bërë nga një grup ekspertësh, e cila po diskutohet nga vendet anëtare.

Xavier Bout de Marnhac e as Andy Sparkes nuk do të jenë më udhëheqës të këtij misioni.

Manrhac do të mbahet mend si udhëheqës i misionit në kohët kur EULEX-i është marrë me rastet më të rënda, por që ka dështuar të ballafaqohet me rastet e profilit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar. Dështimi i rastit “Kleçka” që nga vetë misioni qe trajtuar si rasti më i madh i krimeve të luftës, i ka dhënë goditje të rëndë misionit, pak para ndryshimit që ka nisur të planifikohej shtatorin e vitit të kaluar.

Rekomandimi që Marnhacut t`i përfundojë misioni menjëherë pas ndryshimeve ka ardhur si rezultat i shumë “reagimeve të pavend” që i ka pasur misioni.

Sidoqoftë, ikja e gjeneralit francez nuk do të ketë reflektime në hierarkinë e misionit, kanë bërë të ditur burimet. Misionit do t`i caktohet një shef tjetër, që do të ketë të njëjtat kompetenca.

Duke i komentuar reagimet e shefit të tij, Anders Foght Rasmussen, komandanti i KFOR-it ka thënë se do të donte që EULEX-i të kishte më shumë mundësi.

“Me sa kam kuptuar unë, Rasmussen nuk është ankuar për mungesën e koordinimit. Ai është ankuar më shumë për kapacitetet e EULEX-it dhe unë këtu duhet ta pranoj se sa më të fuqishëm e kam një partner aq më shumë jam i gëzueshëm. Dua të them se ne kemi bashkëpunim të mirë me EULEX-in dhe s’kemi asnjë ankesë”, ka thënë Drews.

Shefi i NATO-s, Anders Foght Rasmussen, ka deklaruar të hënën se është i shqetësuar për faktin se misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, nuk ka burime të mjaftueshme, dhe për pasojë shpeshherë i është dashur Aleancës Ushtarake të marrë barrën që nuk i takon.

“Të jem i sinqertë, jam shumë i shqetësuar, për faktin se misioni i Bashkimit Evropian, EULEX-i, nuk ka burime të mjaftueshme, që në praktikë ka implikime të fuqishme për NATO-n, sepse pastaj po ndikohen operacionet e KFOR-it”, ka thënë Rasmussen para ligjvënësve të BE-së, njofton DPA.

Që nga vendosja e tij më 2008, misioni i BE-së është vlerësuar për arritje në mbikëqyrjen, monitorimin dhe mentorimin e institucioneve të Kosovës, por është vlerësuar si mision i dështuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit për shkak të dështimit në rastet e profilit të lartë. Misioni për sundimin e ligjit ka kompetenca ekzekutive, të cilat i janë dhënë me qëllim që të luftojë rastet e rënda të krimit, të cilat nuk mund të përfundohen nga institucionet e Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)