EULEX-i nuk i kërkoi Gjermanisë mbrojtjen e dëshmitarit X
Prishtinë, 30 shtator - Autoritetet gjermane nga qyteti Duisburg kanë deklaruar se ata nuk kanë qenë të informuar se dëshmitari X i vetëvrarë të martën, duhej të ishte nën mbrojtje të përhershme.
Rezultati i autopsisë, sipas policisë gjermane, tregoi se Agim Zogaj, i njohur si dëshmitari X, ka bërë vetëvrasje në mbrëmjen e të martës dhe nuk ka pasur person të dytë që ka ndikuar në vdekjen e tij.
Këto deklarata, zyrtarët gjermanë të rendit i kanë dhënë pas obduksionit që i kanë bërë trupit të pajetë të Agim Zogajt.
Rezultatin e autopsisë së kryer nga policia e Duisburgut e ka konfirmuar nëpërmjet telefonit zëdhënësi i policisë gjermane për këtë qytet, Ramon van der Maat.
Ai ka njoftuar se autopsia ndaj trupit të viktimës është kryer paraditen e së enjtes ndërsa trupi i pajetë i tij ishte gjetur mbrëmjen e së martës në orën 23 e 50 minuta në parkun e qytetit Duisburg.
Agim Zogaj është gjetur i vdekur mbrëmjen e së martës. Policia në Duisburg ka pranuar në orën 18.00 një telefonatë nga një i njohur i viktimës Atyre ai (Agim Zogaj) iu kishte thënë se do ta vrasë vetën dhe policia është vënë në kërkim të tij, ka thënë Van der Maat.