EULEX-i krijon Task Forcë për veriun
Prishtinë, 9 maj - EULEX-i ka vendosur tu përgjigjet sfidave në veri me një grup të veçantë njerëzish që do të merren vetëm me atë pjesë.
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, ka krijuar një Task Forcë të veçantë për veriun.
Task Forca është kundër krimit të organizuar dhe përbëhet nga policia, drejtësia dhe doganat e EULEX-it.
Krijimin e Task Forcës, kreu i misionit Xavier Bout de Marnhac, ka zgjedhur që t`ia prezantojë Këshillit të Sigurimit të OKB-së si shembull të përkushtimit të misionit për atë pjesë të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
Në raportet e rregullta për Kosovën që sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon i bën Këshillit të Sigurimit, raportohet edhe për punën e EULEX-it. Shefi i misionit të BE-së në një aneks të veçantë raporton për punën e EULEX-it në tremujorin përkatës.
Në raportin për periudhën 15 janar 19 prill 2011, Marnhac shkruan se EULEX-i ka vazhduar që ta zbatojë mandatin e vet, duke i mbështetur institucionet e Kosovës dhe duke përdorur edhe kompetencat ekzekutive aty ku është vlerësuar si e nevojshme.
Qëllimi i misionit për të forcuar sundimin e ligjit në veri është shënuar nga disa përpjekje të rëndësishme, përfshirë edhe zbarkimin e një Task Force kundër krimit të organizuar dhe me një dukshmëri më të madhe të misionit në atë pjesë. Disa operacione policore dhe gjyqësore kundër krimeve të luftës, korrupsionit dhe krimit të organizuar janë kryer, shkruan Marhnac.
Shefit të EULEX-it, me gjithë krijimin e Task Forcës, për veri, nuk i është dashur shumë kohë që të përshkruajë veprimet konkrete të EULEX-it në atë pjesë, të cilat duket se kanë munguar. Ai e prezanton si sukses faktin që misioni pas një kohe të gjatë zgjedhjesh ka arritur të riinstalojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës.
Operacionet në veri mbesin delikate, më shumë përpjekje për përforcimin e ligjit, aksionet si ai i 15 shkurtit në Zubin Potok, zgjojnë protesta dhe pakënaqësi nga EULEX-i dhe prezencave tjera ndërkombëtare, shkruan Marnhac. EULEX-i premton se përkundër këtyre ndjeshmërive lokale, do të vazhdojë të mbikëqyrë dhe monitorojë, ndërkaq që në bashkëpunim me institucionet vendëse, do të mundohet të evitojë tensionet ndëretnike.
Në pjesën e raportit ku flitet për korrupsionin, EULEX-i shkruan se vazhdojnë hetimet, në dy rastet e mëdha, atë të guvernatorit dhe të MTPT-së. Rasti Bllaca dhe rastet e krimeve të luftës, janë aktivitete tjera që i përmend misioni.
Sipas Marhnacut, rasti i ish-guvernatorit dhe rasti i ish-ministrit Limaj, janë prioritet.
Ajo që pritej se nuk do të ndodhte për shkak të hezitimeve të senatorit Dick Marty, EULEX-i shkruan se ka ndodhur. Senatori që ka hartuar një raport ku ka akuzuar ish-udhëheqësit e UÇK-së si të infiltruar në krim të organizuar dhe prapavijë kriminale, është takuar me prokurorët e EULEX-it.
Shefi i misionit, nuk jep detaje për rrjedhën e takimit, pos që e konfirmon takimin. Sipas tij, aty janë diskutuar gjetjet e Martyt.
Për herë të parë, shefi i EULEX-it zbulon edhe dyshimet për akuzat e Martyt, në bazë të të cilave misioni ka nisur një hetim preliminar.
Raporti infiltron liderët kosovarë në një rrjet të organizuar të krimit, përfshirë trafikimin e drogës, trafikimin të organeve dhe vrasjeve., shkruan Marnhac.
Sipas tij, prej kur janë bërë publike akuzat, EULEX-i vazhdimisht e ka pasur vëmendjen te çështja dhe ka deklaruar se ka kapacitete, ekspertizën dhe juridiksionin e duhur dhe përgjegjësinë për të bërë hetimin. Ne vazhdimisht u kemi bërë thirrje organizatave dhe personave që mund të kenë dëshmi rreth rastit që t`i ndajnë ato me ne, shkruan Marnhac.
EULEX-i është i vendosur që të ofrojë gjithçka që është e nevojshme për hetimin, përfshirë mbrojtjen e dëshmitarëve, menaxhimin e rrezikut dhe lehtësimet e duhura që stafi që po e bën hetimin mund t`i kërkojë, shkruan Marnhac.
Misioni i BE-së, që ka staf prej 2 858 personash, prej tyre 1 670 ndërkombëtare dhe 1 188 vendës, ka qenë kohëve të fundit në fokus të kritikave për mosefikasitet në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe mosshtrirje të sundimit të ligjit në veri të Kosovës. (Koha.net)