EULEX-i, hetime për dy ministri dhe vrasjen e një gazetari
Prishtinë, 28 prill - Prokuoria Speciale e Kosovës është duke hetuar dy dikastere të qeverisë së Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Kthimit dhe të Komuniteteve si dhe vrasjen e një gazetari.
Prokurorja e EULEX-it britanikja Maria Bamieh ka deklaruar se është duke përgatitur një aktakuzë ndaj disa personave të dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e një gazetari kosovar, që ka ndodhur pas luftës.
Bamieh, e cila bën pjesë në Task-Force kundër korrupsionit, në një intervistë për mediat thotë se është e përkushtuar për të nxjerrë në pah të gjitha parregullsitë, ndërsa e vë theksin në luftën kundër korrupsionit, krimet financiare dhe mbrojtjen e lirisë së mediave në Kosovë.
Jam duke hetuar kërcënimet ndaj dy gazetarëve, sepse shumë prej tyre janë vrarë në Kosovë. Mendoj se liria e mediave duhet të ekzistojë, pavarësisht se dikujt nuk i pëlqen çfarë thonë ata, megjithatë gazetarët duhet të punojnë pa qenë të kërcënuar dhe të vrarë, ka theksuar Bamieh.
Ajo nuk dëshiron të flasë se për vrasjen e cilit gazetar janë zhvilluar hetimet, por thotë se aktakuza do të ngrihet shumë shpejt.
Prokurorja britanike që punon në Kosovë, thotë se është duke hetuar edhe dikastere qeveritare që janë të dyshuara për korrupsion.
Gjatë hetimeve, ajo deklaron se ka marrë në pyetje persona në poste të larta. E në këtë mes ajo liston ministrat dhe sekretarët permanentë, për të cilët pretendon se kanë kryer korrupsion.
Jam duke e hetuar Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me disa tenderë dhe siç, e thashë, edhe Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, ku aktakuza tashmë ekziston. Merrem kryesisht me krimet financiare dhe korrupsionin, tha ajo.
Ashtu si edhe kolegët e saj, edhe Bamieh rikujton se për hetime të mira duhet kohë. Ajo thekson se ndryshimi i vërtetë duhet të vijë nga populli i Kosovës.
Populli duhet të thotë nuk lejojmë vjedhjen e parave tona. Paratë tona duhet të shkojnë në shkolla, spitale e jo në xhepat tuaj, ka deklaruar Bamieh.