12 Maj 2024

EULEX-i ekstradon Demë Nikqi për në SHBA

Prishtinë, 13 janar - Të premten më 6 janar, Demë Nikqi, nga Peja, është ekstraduar nga Shqipëria në Shtetet e Bashkuara për t’u përballur me akuzat mbi dyshimin se ai ka udhëhequr një rrjet ndërkombëtar të trafikimit me qenie njerëzore.

EULEX-i, mbi bazën e hetimeve të veta të cilat përfshijnë Nikqin, i ka dhënë asistencë autoriteteve gjyqësore në Shtetet e Bashkuara.

Nikqi është kapur nga autoritetet Shqiptare më 4 tetor 2011 kur po kalonte kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ai u arrestua mbi bazën e një lajmërimi për persona të kërkuar të lëshuar nga Interpoli.

Sipas dokumenteve gjyqësore në SHBA, Nikqi dyshohet se çdo vit ka trafikuar qindra individë përtej kufirit Meksikan dhe i ka futur ata në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2010 një nga operacionet e Nikqit për trafikim me gjasë ka rezultuar me vdekjen e një Kosovari në Teksas. 

Paralelisht me hetimet e autoriteteve të SHBA-së, prokurorët e EULEX-it janë duke kryer hetimet e tyre ndaj trafikimit me qenie njerëzore,  e të cilat ndërlidhen edhe me Nikqin.

Ai dhe bashkautorët e tij dyshohen se kanë trafikuar një numër të pacaktuar të kosovarëve në Amerikën Veriore duke i pajisur ata me pasaporta false dhe duke u treguar atyre se cilën rruge duhet ta ndjekin.

Në shkëmbim të kësaj, individëve të trafikuar u duhej të paguanin shuma të mëdha parash që arrinin deri në pesëmbëdhjetë mijë euro për person.

Në kuadër të këtij hetimi, më 7 dhjetor 2011, Policia e Kosovës ka arrestuar katër individë nga rajoni i Pejës dhe ai i Mitrovicës si dhe ka bastisur shtëpitë e tyre.

Ky operacion policor është udhëhequr nga një prokuror i EULEX-it dhe është autorizuar në mënyrën e duhur nga një gjykatës vendor i procedurës paraprake.

Momentalisht këtyre personave u është caktuar masa e paraburgimit deri në mars 2012. Prokurorët e EULEX-it vazhdojnë bashkëpunimin e tyre me autoritetet gjyqësore të SHBA-ve për këtë rast. Hetimi është ende në fazën para gjykimit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)