EULEX-i dhe Qeveria të jenë më transparente dhe llogaridhënëse
Prishtinë, 4 qershor - Misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX e shpalosi sot Raportin për Programe 2010 i cili e analizon progresin e arritur nga institucionet kosovare në fushën e sundimit të ligjit gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar të monitorimit, mentorimit dhe këshillimit nga ana e EULEX-it.
Raporti tregon se është arritur një progres i qëndrueshëm, pozitiv, gradual dhe real. Por, Raporti gjithashtu tregon se problemet e adresuara janë shumë të rëndësishme dhe nuk mund të ketë përmirësime të shpejta. Sipas Raportit, sfidat kryesore kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Përmirësimet në sundimin e ligjit nuk mund të arrihen për disa muaj. Një gjë e tillë kërkon kohë dhe punë të zellshme, posaçërisht nga institucionet me të cilat bashkëpunojmë, tha Roy Reeve, zv/shef i EULEX-it.
Raporti e konsideron themelimin e Task Forcës Anti-korrupsion në Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) si një hap pozitiv në këtë drejtim. Veç kësaj raporti gjithashtu konstaton progresin e arritur nga Policia e Kosovës në bartjen e përgjegjësisë për mbikëqyrjen e Kufirit të Gjelbër.
Në anën tjetër, raporti ka identifikuar ndërhyrje në sistemin e drejtësisë në nivele të ndryshme dhe në mënyra të ndryshme. Kjo ndërhyrje në procedurat gjyqësore civile dhe penale, ka rezultuar në probleme praktike - abstenimi paraprak i gjyqtarëve dhe prokurorëve vendas për të trajtuar lëndët e ndjeshme. Në mënyrë të veçuar, raporti konstaton më tej se: ka pasur mungesë të progresit në krijimin e mekanizmave themelor për bashkërendim dhe bashkëpunim mes prokurorëve dhe Policisë së Kosovës, si dhe në mes të prokurorive dhe gjykatave.
Ky raport bën që EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës të jenë më transparente dhe llogaridhënëse duke zbatuar mekanizmin e ri të monitorimit i cili përfshin kritere të qarta dhe na obligon për të përmbushur këto kritere, deklaroi Shefi i Zyrës për Programe në EULEX, Alessio Zuccarini, duke shtuar tutje që pjesëmarrja dhe mbikëqyrja e shoqërisë civile do të kontribuojë gjithashtu në shtimin e llogaridhënies dhe qëndrueshmërisë në përpjekjet reformuese.
Raporti për Programe 2010 bazohet në raportimin e vazhdueshëm 12 mujor nga monitoruesit e EULEX-it që janë të shpërndarë brenda institucioneve të drejtësisë, policisë dhe doganës së Kosovës, në kuadër të zbatimit të Katalogut të Veprimeve MMK. Ky raport paraqet rezultatet konkrete të punës së përbashkët të monitoruesve së bashku me homologët e tyre kudo në Kosovë.
Raporti përqendrohet në mandatin MMA (mentorimi, monitorimi dhe këshillimi) të EULEX-it dhe jo në kompetencat e kufizuara ekzekutive të EULEX-it.
Shqetësimet më të mëdha në këtë raport janë ngritur sa i përket sistemit të drejtësisë, ku janë vërejtur probleme teknike dhe jo vendosmëri në përmirësimin e sundimit të ligjit.
Është vërejtur ndërhyrje në nivele të ndryshme dhe forma të ndryshme. Kjo ndërhyrje në punën e sistemit të drejtësisë, si në procedurat penale ashtu edhe në ato civile, shpesh ka pasur për pasojë probleme praktike, siç është abstenimi paraprak i gjykatësve dhe i prokurorëve vendës për tu marrë me raste të ndjeshme, thuhet në këtë raport.
Sipas gjetjeve të EULEX-it, numri i madh i rasteve të pazgjidhura, sidomos i atyre civile, tregon se gjykatësit dhe prokurorët vendës nuk kanë qenë në gjendje të bënin përparim në trajtimin e kësaj çështjeje, që, sipas EULEX-it, është shumë urgjente. Po ashtu, është konstatuar se kapaciteti i sistemit të drejtësisë penale në Kosovë, ka mbetur shumë i brishtë dhe i parregullt në rrugën drejt reformimit, ku si problem kyç theksohet bashkëpunimi në mes të policisë, prokurorisë dhe gjykatave.
Mungesa e përparimit në krijimin e mekanizmave themelorë për bashkëpunim dhe bashkërendim ndërmjet prokurorëve dhe Policisë së Kosovës, si dhe ndërmjet prokurorive dhe gjykatave, mbetet faktor shqetësues, thuhet më tutje në raport.
EULEX-i, po ashtu, nuk ka harruar të përmendë edhe problemet me të cilat ballafaqohen prokurorët dhe gjyqtarët, që janë mungesa e personelit.
Përfundimi i procesit të verifikimit dhe riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve të Kosovës pa dyshim që do të ndihmojë në krijimin e hapave të duhur për përcjelljen e reformave të nevojshme. Ky aspekt duhet të lidhet me çështjen e burimeve njerëzore, numri i personelit nuk është i mjaftueshëm dhe duhet të bëhet më tepër në mënyrë që të sigurohet plotësimi i pozitave kryesore dhe shpërndarja e duhur e personelit ndihmës, ka konstatuar EULEX-i.
Ndërkohë, në pjesën e këtij raporti dedikuar organizatave joqeveritare, thuhet se funksionimi i institucioneve të sundimit të ligjit dhe në veçanti lufta kundër korrupsionit, mbeten prioritet i lartë për shumë OJQ. Në fakt, OJQ-të janë të vetmet që kanë marrë pikë shembullore në raportin e vlerësimit, monitorimit dhe mentorimit të EULEX-it. Gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar ka pasur shumë analiza, raporte dhe rekomandime të politikave lidhur me këto tema. OJQ-të kanë treguar kapacitet të shquar në identifikimin e përparësive dhe të dobësive në mekanizmat e Kosovës për sundimin e ligjit, thuhet në raport.