08 Maj 2024

EULEX heton Policinë e Kosovës

Prishtinë, 12 mars - Hulumtimet e bëra nga organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare rreth pranisë së armëve të zjarrit në Kosovë, rregullisht ka nxjerrë si rezultat shifrën 400 mijë armë.

Ajo që është më e rëndë është vlerësimi i këtyre organizatave që thotë se nga 400 mijë armë të zjarrit, 310 mijë deri në 330 mijë prej tyre janë pa leje në Kosovë, apo armë që kanë hyrë ilegalisht dhe mbahen si të tilla nga kosovarët.

Ky numër, nëse mbështetesh në një nga shqetësimet më të mëdha deri më tash të EULEX-it, jo vetëm që nuk do bjerë, por ai do rritet.

Ka disa javë që zyrtarët e misionit më të madh dhe më të kushtueshëm të BE-së në Kosovë janë tejmase të shqetësuar pasi ata nuk e dinë saktë pse Policia e Kosovës nuk ka përdorur asnjëherë njësitin e qenve të trajnuar për nuhatjen e armatimit dhe eksplozivit.

“Pas diskutimeve të shumta, mund të themi që ekipi i qenve nuhatës për armatim dhe eksploziv në kuadër të njësisë K9 të Policisë së Kosovës, nuk po përdoret fare me qëllim që të evitojnë kapjen e grupeve që kontrabandojnë armë ilegalisht në territorin e Kosovës. Ne kemi pyetur disa herë Policinë e Kosovës pse nuk përdoret ai ekip fare për kontrollime në kufi jtë e vendit, mirëpo nuk kemi marrë asnjëherë një arsye të fortë për këtë”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një pjesëtar ndërkombëtar i misionit për sundim të ligjit që ka dhe staf që nuk janë nga vendet e BE-së.

Derisa diskutimet vazhdojnë brenda EULEX-it, Policia e Kosovës mundohet të nxjerrë në shesh një histori krejt tjetër. Ata thonë se ky ekip përdoret, edhe pse nuk dinë të tregojnë datën kur është dërguar në ndonjërin prej kufijve, ekipi i qenve nuhatës për zbulimin e armatimit dhe eksplozivit.

Sipas njoftimeve zyrtare të Policisë së Kosovës, momentalisht në kuadër të Departamentit të Njësiteve të Specializuara ekziston edhe njësiti i qenve apo K9. Pjesë e ekipit për nuhatjen e armatimit dhe eksplozivit janë në tërësi 10 qen, ndërsa deri vonë të certifikuar kanë qenë vetëm 9 prej tyre.

Zyra për informim e Policisë së Kosovës thotë se dyshimet për të cilat i ka pyetur gazeta “Zëri” nuk janë të sakta pasi ky ekip përdoret rregullisht.

“Ekipi i qenve të specializuar për nuhatjen e armatimit dhe eksplozivit janë përdorur dhe përdoren rregullisht sa herë ka elemente të dyshimit apo indikacione të dyshimta për gjetje të armëve dhe eksplozivit”, i ka thënë ditë më parë zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

Mirëpo, ai dhe asnjë zyrtar tjetër policor me të cilët “Zëri” me ditë të tëra ka kontaktuar, nuk kanë mundur ta thonë kur saktë ka qenë hera e fundit që ky ekip është përdorur. “Nuk kam informacione të sakta (kur janë përdorur për herë të fundit), por tani për tani e di që janë përdorur në disa raste”, ka thënë shkurt Baki Kelani.

Dy zyrtarë të tjerë të Policisë së Kosovës të kontaktuar nga “Zëri” duke folur në kushte anonimiteti kanë thënë se e gjitha ajo që e dinë ata është se ekipi i qenve nuhatës për armatim janë përdorur në kontrollimin e restoranteve apo objekteve të tjera kur persona të rëndësisë së lartë kanë pasur për të drekuar apo ata të jashtëm e kanë vizituar Kosovën.

Një nga ta, ka thënë se në fakt ka informata për përdorimin e tyre nëpër kufij mesatarisht nga 7-10 herë në muaj, varësisht se si aprovohet plani operativ, ndërsa në Aeroportin e Prishtinës janë pjesë e stafit dy qen, një për nuhatjen e drogës dhe një tjetër për armatim dhe eksploziv.

Mirëpo, ky zyrtar ka reaguar çuditshëm kur është pyetur për datën e fundit kur është dërguar ekipi në fjalë herën e fundit në një pikë kufitare me shtetet tjera. “Ah, po doni me ditë kur janë përdorur herën e fundit. Jo, kur është kontrolluar një restorant kur iu ka tek me dalë me hëngër bukë Atifete Jahjaga, por një kontroll në një pikë kufitare...? Prit se tash marr vesh e ju thirri me ju tregu”…ka thënë ky zyrtar, megjithëse ai nuk telefonuar më asnjëherë për të treguar për informatën e marrë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)