EULEX heton 93 raste të korrupsionit e krimit të organizuar

Ata njoftuan se, deri më tani, janë marrë 46 vendime për raste të tilla.
Zëdhënësi i EULEX-it, Nikollas Hotën, i tha Radios Evropa e Lirë, se nga hetimet për krim të organizuar dhe korrupsion nuk do të përjashtohen as zyrtarët e lartë të institucioneve të ndryshme kosovare.
Nuk do të komentoja detajet e hetimeve apo individët që po hetohen. Ajo që mund të them është se EULEX-i do të hetojë rastet serioze të krimit të organizuar e korrupsionit kudo që ndodhin këto krime dhe këdo që përfshijnë ato, tha Hotën.
Ditë më parë, me urdhër të prokurorëve të EULEX-it, ishte arrestuar ish-kreu i Task-Forcës kundër Korrupsionit, Nazmi Mustafi, i cili bashkë me Reshat e Xhelal Zherkën dyshohet të jenë të përfshirë në shpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrim të ndikimit.
/rel/