EULEX: Hetimet dhe autopsia e rastit Dehari janë të sakta
Prishtinë, 30 nëntor - EULEX-i ka theksuar se shfrytëzon rastin që edhe një herë tu shprehë ngushëllime familjes dhe miqve të Astrit Deharit, i cili vdiq derisa ishte në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Vdekja e një të riu në këto rrethana është me të vërtetë një tragjedi.
Si pjesë e mandatit të tij, EULEX-i e monitoroi këtë rast dhe beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, në pajtim me praktikat më të mira evropiane dhe duke i hetuar të gjitha pistat e mundshme.
Tri agjencitë përkatëse që kanë qenë të përfshira sipas EULEX vazhdojnë ti përmbushin obligimet ashtu siç pritet nga to.
\"Nga rastet si ky gjithmonë nxirren mësime, ndërsa elementi më i rëndësishëm drejt përmirësimit është vënia në jetë e këtyre mësimeve.\"
\"Ndonëse rrethanat janë të jashtëzakonshme, institucionet e Kosovës kanë zbuluar se Astriti ka qenë i vetëm në qeli në kohën kur ka ndodhur rasti.\"
Këtë e konfirmojnë incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm. EULEX-i i mbështetë të gjeturat dhe konstatimin logjik të nxjerrë prej fakteve dhe provave të gjetura gjatë hetimeve dhe autopsisë.
Megjithatë, gjithçka që lidhet me vdekjen e Astrit Deharit sipas EULEX duhet të shërbejë për të rikujtuar se megjithëse Shërbimi Korrektues i Kosovës është duke u përpjekur që të bëjë përmirësime, duhet të bëhet edhe më shumë në të ardhmen për ti parandaluar incidentet si ky dhe humbje të jetëve tjera.
Menjëherë pas këtij incidenti, Ministrja e Drejtësisë e angazhoi EULEX-in për ofrimin e mbështetjes në lidhje me mësimet e nxjerra dhe për përfshirjen e atyre mësimeve në agjendën aktuale të reformave më të gjera në shërbimin korrektues.
Ministrja Hoxha kërkoi prej agjencive që ti paraqesin të gjeturat e tyre, gjë që ato edhe e kanë bërë.
EULEX-i e përshëndetë theksin e veçantë dhe përmirësimet e iniciuara nga Ministrja e Drejtësisë me qëllim të ngritjes së llogaridhënies dhe transparencës në kuadër të sistemit të sundimit të ligjit. EULEX-i është i gatshëm që ta ndihmojë Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera të sundimit të ligjit që të ecin tutje në këtë drejtim.