EULEX heq dorë nga aktakuza kundër Muharrem Xhemajlit
Prishtinë, 2 korrik - Kryesia e OVL të UÇK-së, ka bërë të ditur se, se me datën 29 qershor, Prokurori i EULEX-it Pascal Persoons, ka hequr dorë nga aktakuza e ngitur nga Prokuroria Publike Komunale në Prishtinë, kundër Muharrem Xhemajlit.
Me këtë rast, Gjykata Komunale në Gllogoc ka lëshuar edhe aktvendimin në të cilin hudhet poshtë aktakuza kundër Muharrem Xhemajlit, i cili akuzohej për veprën penale mashtrim në votime në kundërshtim me nenin 180 të KPK-së.
OVL të UÇK-së, me shqetësim kishte përcjellur tendencën për denigrimin e personalitetit të kryetarit të veteranëve, bazuar në akuza absurde e të palogjikshme dhe nuk kishte reaguar deri në fund të hetimeve, në mënyrë që organet e drejtësisë të kryejnë punën e tyre.
Të bindur se z.Xhemajli ka qenë plotësisht i pafajshëm dhe se kemi të bëjmë me shpifje dhe tendenca të ulëta, ne kemi pritur në qetësi të plotë përfundimin e këtij procesi.
Si çdo herë, ashtu dhe në këtë rast, tentimi për njollosjen e luftëtarëve të UÇK-së doli i dështuar.
\"Ne sinqerisht shpresojmë, që ky rast do të vetëdijesojë të gjithë ata që shkruan e komentuan rreth akuzave ndaj Xhemajlit, të jenë më objektivë dhe të mos nxjerrin konkluzione të gabuara e të parakohshme.\"
Kryetari Muharrem Xhemajli, është duke shqyrtuar mundësinë, që për disa nga individët që morën pjesë në këtë tentim-denigrimi të inicojë padi private për shpifje dhe fyerje.