22 Dhjetor 2024

EULEX do të ofrojë asistencën e nevojshme për hetime

Prishtinë, 12 korrik - Nën drejtimin e zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi dhe shefit të Misionit të EULEX-it, Iv de Kermabon, është mbajtur takimi i radhës i Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit.

Në takim është vlerësuar lartë bashkëpunimit mes qeverisë dhe EULEX-it dhe është theksuar që ky bashkëpunim vetëm sa do të thellohet në funksion të fuqizimit të sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi në hapje të takimit ka informuar anëtarët e Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit lidhur me hapat që janë ndërmarrë në kuadër të forcimit të rendit dhe ligjit dhe përmirësimit të sfidave që dalin nga agjenda evropiane.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur të miratojë pakon e ligjeve të gjyqësorit dhe një sërë ligjesh tjera prioritare. Gjatë kësaj jave kemi arritur të aprovojmë Ligjin e ri të Prokurimit Publik, të hartuar në pajtueshmëri të plotë me direktivat e Unionit Evropian” – ka thënë Kuçi dhe ka potencuar se “kjo dinamikë e punës e institucioneve të Kosovës ka marrë nota pozitive nga vizitat që kryeministri Thaçi ka pasur në Bruksel dhe nga Takimi i parë plenar i Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asocciimit”.

Lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit, zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë se këto sfida të ditëve të fundit në veri kanë dëshmuar se ekziston nevoja imediate e rritjes së përkushtimit dhe intensifikimit të punës së EULEX-it, organizmave tjerë të sigurisë dhe qeverisë së vendit për të përshpejtuar funksionalizimin e gjykatave në veriun e Kosovës, për të përmirësuar institucionet e sigurisë, për të forcuar kontrollin kufitar dhe në përgjithësi për vënien e rendit dhe qetësisë publike edhe në këtë pjesë të territorit të Kosovës.

Nga ana e tij, shefi i EULEX-it , Iv De Kermabo, duke e vlerësuar lartë punën që ka bërë Bordi i Përbashkët për sundimin e ligjit në Kosovës, ka dënuar incidentet e fundit në veri të vendit.

“EULEX-i ka vepruar në përputhshmëri me mandatin e tij si një përgjegjës i dytë i sigurisë dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen të veprojmë kështu. Hulumtime në këto raste që janë duke i bërë edhe Policia e Kosovës dhe duhet të presim për konkludimet” - është shprehur shefi i EULEX-it, Kermabon.

“EULEX do të ofrojë asistencën e nevojshme për hetime. Në ndërkohë duhet t’i shmangemi rritjes së tensionit dhe të kemi parasysh që qëllimi ynë i përbashkët është fuqizimi i sundimit të ligjit në tërë Kosovën në përgjithësi e në veri të vendit në veçanti. Ne jemi duke punuar për vazhdimin e garantimit të mandatit tonë. EULEX është duke punuar mjaftë shumë që të fuqizojë sundimin e ligjit dhe presim që të dyja palët të kemi rezultate të prekshme”, - ka theksuar Kermabon.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka informuar Bordin e Përbashkët për Sundimin e Ligjit lidhur me Procesin e Planifikimit të Emergjencës Civile dhe ka thënë se Agjencioni i Menaxhimit Emergjent në kuadër të MPB-së është duke punuar në hartimin e Planit të Reagimit Nacional, që planifikohet të finalizohet deri në fund të muajit nëntor të këtij viti.

Ministri Rexhepi ka informuar bordin edhe lidhur me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera dhe Ligjin për Mbrojtje nga zjarri, të cilët janë në pritje të procedimit tyë mëtutjeshëm dhe ka shtuar se është në proces hartimi i Ligjit për Zjarrfikje dhe Shpëtim.

Në takim është vlerësuar se ka një përparim të përgjithshëm në bashkëpunimin mes policisë dhe prokurorisë.

Ndërsa, Lidhur me rekrutimin e zyrtarëve policorë në Task Forcën Antikorrupsion në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ministri Rexhepi ka njoftuar se përmes konkursit të brendshëm janë përzgjedhur 9 zyrtarë policorë hetues, të cilët veç kanë filluar punën.

“Jemi duke punuar që edhe 15 zyrtarë policorë nga Shtylla e Hetimit dhe Krimit të transferohen në këtë Task Forcë, në mënyrë që të kompletohet kontributi i Policisë së Kosovës në funksionalizimin e këtij mekanizmi” ka thënë Rexhepi.

Po ashtu edhe ministri i Drejtësisë, Haki Demolli ka informuar bordin lidhur me veprimet që ministria që ai drejton i ka marrë lidhur me Task Forcës Antikorrupsion.

“Prokurori i Shtetit, Ismet Kabashi i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë, emrat e përzgjedhur të pesë prokurorëve të Prokurorisë Speciale që do të punojnë në Task Forcën Antikorrupsion. Po ashtu, Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me përfaqësuesit e EULEX-it dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës ka përgatitur konkursin për pesë ekspertë për Task Forcën Antikorrupsion, ky konkurs është mbyllur dhe së shpejti pas procedurave të intervistimit do të bërhet edhe përzgjedhja meritore e këtyre ekspertëve” – ka njoftuar Demolli.

Në takimin e sotëm, ministri Demolli ka informuar bordin edhe lidhur me konkursin për Drejtor të Departamentit për Mjekësi Ligjore dhe për hapat e duhur që ky proces të përmbyllet me sukses të plotë.

Në takim është diskutuar edhe për çështjen e personave të pagjetur. Ministri i Drejtësisë, z.Demolli ka njoftuar bordin edhe lidhur me kontaktet që ka pasur Ministria e Drejtësisë me autoritetet kompetente të Maqedonisë dhe Malit të Zi për ekzaminimin e disa vendeve të dyshuara për varreza masive në këto dy shtete fqinje. Ministri Demolli ka thënë se ka marrë konfirmimin zyrtar nga Ministria e Drejtësisë e Malit të Zi dhe ajo e Maqedonisë për të bërë ekzaminimet e nevojshme, me shpenzimet që do t’i bartin institucionet e Kosovës.

Zyrtarë të EULEX-it kanë informuar për varrin masiv në Rashkë, ku EULEX ka dërguar përfaëqësuesit  e vet për të marrë pjesë në cilësinë e vëzhguesit të vlerësimeve në vendin e ngjarjes. Për më tepër, shefi i Misionit të EULEX-it, Iv de Kermabon ka theksuar rëndësinë e ecjes përpara lidhur me varrezën masive të mundshme në Obiliq.

Në takim, përfaqësuesit e EULEX-it theksuan nevojën për të ecur përpara në çështjen e zgjedhjes së anëtarëve për Bordin e Pavarur për Rishqyrtime, duke shprehur dëshirën për të inicuar diskutimet se si të gjendet një zgjidhje afatgjatë për trajtimin e rasteve të pazgjidhura.

Lidhur me këtë çështje, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala ka njoftuar Bordin e Përbashkët për Sundimin e Ligjit se “Qeveria e Republikës së Kosovës, me vendimin nr.06/132 të datës 2.07.2010, i ka propozuar Kuvendit për aprovim anëtarët e Bordit të Pavarur për Rishqyrtime” dhe ka vlerësuar se “kemi bërë një zgjedhje të anëtarëve, të cilët posedojnë përgatitje profesionale dhe morale për të kryer funksionin e tyre, në përputhje me legjislacionin të cilin e zbatojnë Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)