30 Janar 2025

EULEX do të ndihmojë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur

Prishtinë, 23 mars - Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Prenk Gjetaj, priti në takim Shefen e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ku bashkërisht diskutuan mbi mundësitë e intensifikimit të bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët, në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Kryesuesi Gjetaj, njoftoi Shefen e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, për punën dhe aktivitetet e realizuara nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, gjithnjë me mbështetjen edhe të institucioneve ndërkombëtare, në përpjekjen e përbashkët për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes të të gjithë personave të zhdukur.

Po ashtu, Gjetaj theksoi se ‘Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, gjegjësisht Qeveria e Republikës së Kosovës, mbetet e përkushtuar në ofrimin e gjithë përkrahjes së nevojshme për punën profesionale, dhe çdo lokacion të shënjuar brenda territorit të Republikës së Kosovës ta procedojmë sa më parë në kuptimin e vlerësimit profesional, gjithnjë në respektim të procedurave ligjore në fuqi dhe të drejtës së familjarëve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.’

Shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, edhe gjatë këtij takimi siguroi kryesuesin Gjetaj, që EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë gjithë përvojën, dijen, pajisjet dhe ekspertizën profesionale për institucionet e Kosovës, në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Shefja e EULEX-it, shtoi se ‘EULEX është këtu për të ndihmuar institucionet e Kosovës, dhe Kosova duhet të ecë përpara duke trajtuar edhe çështjet nga e kaluara, dhe sigurisht që çështja e personave të zhdukur është një nga çështjet kyçe, edhe pse gjetja e personave të zhdukur, është proces tejet i ndërlikuar. Dhe sa më shumë koha kalon, gjërat vështirësohen, por sido që të jetë ne nuk do të dorëzohemi’.

Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, shprehu mirënjohjen për angazhimin dhe punën që është bërë nga ekspertët e EULEX-it dhe bashkërisht u vlerësua e nevojshme që të intensifikohet bashkëpunimi mes të gjithë akterëve të angazhuar në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Në fund të takimit, kryesuesi Gjetaj dhe shefja e Misionit të EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, u dakorduan që të vazhdojnë së bashku në këtë proces dhe të bëhet gjithçka është e mundur për t’u bërë, që familjarët e personave të zhdukur të mësojnë të vërtetën.

  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)