EULEX arreston pesë të dyshuar për krime lufte
Në një njoftim me shkrim nga misioni EULEX, thuhet se arrestimet janë bërë nga policia e EULEX-it në bashkërendim me njësinë e operacioneve speciale të policisë së Kosovës (ROSU).
"Pesë individët janë duke u hetuar për krime lufte kundër popullsisë civile në formën e dhunimit të integritetit fizik dhe shëndetit të civilëve të mbajtur në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc (komuna e Skënderajt).
Një i dyshuar gjithashtu po hetohet për vrasjen e një civili si krim lufte", thuhet në njoftimin e misionit EULEX.
Arrestimet janë urdhëruar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Mitrovicës, ndërsa, rasti është duke u hetuar nga një prokuror special i EULEX-it në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Tani për tani misioni EULEX ende nuk i ka publikuar emrat e personave të arrestuar.
Por mediat në Prishtinë i kanë bërë tashmë publik emrat e të arrestuarve. Ata janë: Sami Lushtaku, kryetar i komunës së Skënderajt, Sahit Jashari, Jahir Demaku, Zeqir Demaku dhe Hysni Thaçi.
Arrestimi i pesë personave në Kosovë të dyshuar për krime lufte, u bë në ditën kur organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty Internatioal, publikoi një raport, ku në pjesën për Kosovën kritikon autoritetet për siç thuhet "dështimin e tyre të vazhdueshëm në ndjekjen penalisht të krimeve të luftës, të cilat dyshohet se janë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në vitin 1999".