EULEX aktivizohet në rastin e "Borit"
Prishtinë, 28 qershor - Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, ka nisur procedimin e dëshmisë të Ivan Pajiqit, qytetarit nga Bori i Serbisë, i cili në një rrëfim për gazetën "Tribuna", ka dëshmuar për bartjen e trupave të të vrarëve në luftën e Kosovës.
Sipas dëshmisë së tij, disa kamionë frigoriferë me trupa kanë përfunduar në një varrezë masive në Petrovo Sello, derisa një kamion tjetër ka përfunduar në shkritoren e Borit, afër Petrovo Sellos.
Njësiti për personat e pagjetur i EULEX-it është në dijeni edhe të dëshmive tjera që ka sjellë hulumtimi i gazetës Tribuna për çështjen e bartjes së kufomave të të vrarëve në Kosovë gjatë kohës së luftës dhe transportimit të tyre drejt Serbisë.
Përderisa një numër i madh i trupave pretendohet të ketë përfunduar në varreza masive, dëshmitari Ivan Pajiq ka thënë se ka parë edhe zbrazjen trupave nga një kamion frigorifer në shkritoren e Borit.
Dërgimi i trupave në Serbi, futja e tyre në varreza masive si dhe djegia e disa të tjerëve në shkritore, ka dalë të jetë bërë me qëllim që të zhdukeshin gjurmët e krimeve të bëra nga operacioni patkoi, operacion që nëse vërtetohet nga gjykata se ka ekzistuar, do ta dënonte Serbinë për gjenocid.