EULEX: 8 të dënuar për korrupsion
Prishtinë, 23 maj - Sot, një trup gjykues i përzier nga gjykatës vendas dhe të EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë i dënuan Zeqir Shamollin dhe Besim Hasanin me nga 4 vite burgim, Mehmet Nuredinin me 2 vite burgim dhe Halim Gjergjizin me 18 muaj burgim për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
I njëjti trup gjykues e dënoi Orhan Ismajlin me 5 vite burgim për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe lidhje të kontratave të dëmshme.
I njëjti trup gjykues i dënoi Hysen Sadikun, Bedri Humollin dhe Mazar Kazagiqin me nga katër vite e gjysmë, respektivisht 2 vite dhe tri vite e gjysmë burgim, për mashtrim.
Në rastin e të pandehurve Humolli dhe Nuredini, trupi gjykues vendosi tu shqiptojë dënimin me kusht, ashtu që ata do ta vuajnë dënimin e tyre nëse i shkelin kushtet e parapara në dënimet e tyre.
Aktakuza është ngritur më 15 dhjetor 2006 pasi që Banka Qendrore e Kosovës kishte zbuluar parregullsi në Bankën Kreditore të Prishtinës (BKP), e cila më pas ishte mbyllur më 10 mars 2006.
Katër nga të pandehurit ishin pjesë e Bordit Menaxhues të BKP-së, kurse tre të tjerë nga kompani të jashtme. Aktakuza ishte ndryshuar më 18 prill 2007.
Gjykimi i cili përfundoi sot ka filluar më 2 mars 2010, pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës e mori përsipër këtë lëndë në vitin 2009, e të cilën e drejtuan një prokuror i EULEX-it dhe një vendas.