EUEX: Në pranverë arrestime për korrupsion
Prishtinë - EULEX-i nuk është duke u marrë vetëm me gjykimin e ish-ushtarëve të UÇK-së, por brenda pak muajve do të shihni rezultate për korrupsion, citohet të ketë thënë kryeprokurori nga misioni i EULEX-it, më 3 nëntor 2009.
Mirëpo, përpjekja për kapjen e peshqve të mëdhenj të zhytur në korrupsion, duket se do të zgjasë edhe më tutje. Zyrtarë të EULEX-it, përveç se kanë kërkuar durim, po ashtu kanë sqaruar se kryeprokurori Jacobs e ka pasur fjalën për fillimin e pranverës, e jo brenda 2 apo tre muajve.
Prokurori i EULEX-it ka thënë që ne jemi duke kryer disa hetime interesante dhe që ai shpresonte që do të ketë rezultate konkrete në pranverë, ka deklaruar zëdhënësja e EULEX-it, Christina Herodes.
Edhe menaxherja e programit antikorrupsion dhe transparencë në kuadër të Institutit Demokratik të Kosovës, Merita Mustafa, e cila kishte qenë organizatore e konferencës ku kishte folur Jacobs, më 3 nëntor, thotë se nuk pajtohet me FOL-in. Sipas saj, Jacobs kishte thënë që duhet të pritet derisa të dalin gjethet, por megjithatë kritikon EULEX-in për mungesë rezultatesh.