Ereniku godet grupin kriminal për kontrabandim të migrantëve
Prishtinë, 23 korrik - Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar nën udhëheqje të prokurorit publik pas hetimeve të kryera që nga gushti i vitit 2012, lidhur me veprimtarinë kriminale të një grupi të organizuar që merrej me kontrabandim të migrantëve, krim të organizuar, sot ka bërë arrestimin e tetë personave të dyshuar nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale kontrabandim me migrantë dhe krim të organizuar.
Operacioni i koduar me emrin ERENIKU, ka rezultuar me kontrollimin në gjashtë qytete të Kosovës: Prishtinë, Ferizaj, Shtime, Prizren, Rahovec dhe Pejë në gjithsej trembëdhjetë lokacione të ndryshme, me çrast është arrestuar grupi i të dyshuarve, të cilët në vazhdimësi kryenin veprat penale të kontrabandimit të migrantëve dhe falsifikimin e dokumenteve të udhëtimit.
Gjatë këtij operacioni janë kontrolluar nëntë shtëpi dhe objekte përcjellëse si dhe katër agjensione turistike.
Të dyshuarit me qëllim të përfitimit të shumave të mëdha financiare, organizonin grupe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, me qëllim të kontrabandimit të tyre në shtetet e perëndimit.
Ata për këtë qëllim shfrytëzonin vijat e rregullta të udhëtimit kryesisht nga qytetet e Kosovës në drejtim të Serbisë, për të kaluar fillimisht në Hungari e më pastaj në shtetet tjera evropiane. Gjatë hetimeve të këtij rasti janë identifikuar 30 viktima të kontrabandimit me migrantë.
Të dyshuarit janë: Sh. S. - 1957; B. B. - 1972; S. B. 1969; L. B. - 1976; B. V. - 1970; P. H. - 1975; M. K. - 1972 dhr E. G. 1976.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar si prova materiale:
Numër i madh i dokumenteve (pasaporta, letërnjoftime të viktimave, formularë të ndryshëm, transaksione bankare, lista të udhëtarëve etj.). 3 revole të kalibrave të ndryshëm, 1 pushkë automatike, 3 pushkë gjuetie, 150 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 22 telefona celularë.
Në këtë operacion përveç njësive policore kanë asistuar edhe zyrtarët e ATK-së.
Personat e dyshuar pas intervistimit janë dërguar në mbajtje për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore.