Enver Sekiraqa dëshmitar kundër Grupit të Llapit
Prishtinë, 26 mars - I shumëkërkuari nga policia për vrasjen e policit Triumf Riza, e që është vetëdorëzuar disa muaj më parë në EULEX, Enver Sekiraqa, pritet të dëshmojë në procesin gjyqësor kundër Rrustem Mustafës Remi, Latif Gashit Lata dhe Nazif Mehmetit Nazi.
Sekiraqa është njëri prej dëshmitarëve të rinj që do të paraqesë prokuroria para gjyqit, e i cili nuk ka dëshmuar asnjëherë që nga paslufta. Sekiraqa kishte deklaruar në një intervistë se është mbajtur si i burgosur në një ahur në fshatin Llapashticë dhe ishte rrahur nga Latif Gashi, i cili po ashtu i kishte kërkuar një shumë prej 600 mijë markash, shkruan tribuna.
Në seancën e parë gjyqësore, ku ka nisur për herë të tretë rigjykimi ndaj Grupit të Llapit, është diskutuar për ditarin e luftës së komandant Latës. Ditari i luftës i ish-komandantit të UÇK-së, Latif Gashi është zhdukur diku.
Ditari, i cili nga mbrojtja konsiderohet si prova kryesore në rigjykim, sipas prokurorit, ai nuk dihet se ku gjendet. Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa nga Partia Demokratike e Kosovës, bashkë me Nazif Mehmetin, akuzohen për krime kundër popullatës civile në periudhën tetor 1998 prill 1999.