Ende nuk ndonjë detaj lidhur me motivet dhe vrasjen e Dino Asanajt
Prishtinë, 15 qershor - Insititucionet e rendit në Kosovë, ende nuk kanë dhënë ndonjë detaj lidhur me motivet dhe vrasjen e Dino Asanajt, drejtor i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, i cili të enjten vdiq nga plagët e marra nga një sulm me thikë.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës, ende nuk kanë dhënë ndonjë informacion më të hollësishëm, pasi që, sipas tyre, hetimet janë ende duke vazhduar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu tha për Radion Evropa e Lirë se njësitë hetimore të policisë, janë në fazën e ekzaminimit të provave të gjetura në vendin e ngjarjes.
Policia e Kosovës, konkretisht drejtoria për hetimin e krimeve të rënda, pra hetuesit që janë të angazhuar lidhur me ketë rast, janë duke punuar intensivisht në hetimin e këtij rasti. Momentalisht janë në fazën e ekzaminimin të provave dhe dëshmive që janë të lidhura me këtë rast, bëri të ditur Sadriu.
Policia e Kosovës, tashmë ka njoftuar se bazuar në hetimet preliminare të hetuesisë, i ndjeri Dino Asanaj është sulmuar në zyrën e tij në Fshatin Ndërkombëtar në lagjen e Hajvalisë, dhe siç thuhet, sulmi është kryer me thikë.
Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se procesi i autopsisë ka përfunduar, por nuk ka dhënë detaje për atë se çka ka rezultuar nga ekzaminimi.
Për komunikatë dhe detaje të tjera, i drejtoheni EULEX-it, zyrës për informim. I pranishëm ka qenë edhe prokurori i EULEX-it ata ju informojnë për gjithçka, tha ai.
Kurse, zyrtarët në EULEX, ende nuk kanë komentuar lidhur me rezultatin e autopsisë.
Autoritetet më të larta të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe partitë politike, e kanë dënuar ashpër aktin kriminal të vrasjes së Asanajt.
/rel/