Ende nuk ka të gjykuar për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës
Prishtinë, 10 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga priti në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës z. Enver Peci, U.D. e Këshillit Prokurorial të Kosovës Sylë Hoxha, Zëvëndës Ministrin e Drejtësisë Lirak Çelaj dhe përfaqësuesen e EULEX Kryeprokuroren znj. Jaroslava Novotna.
Presidentja Jahjaga me përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë diskutoi rreth hapave qe duhet ndërmarr për hartimin e një plani veprimi për garantimin e qasjes në drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, kërkesë kjo nga takimi i fundit i Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.
Presidentja Jahjaga tha se qasja në drejtësi është e drejtë themelore dhe kushtetuese për secilin qytetar të vendit, ndërsa theksoi se edhe 16 vjet pas luftës ende nuk ka asnjë person të gjykuar për krimet e dhunës seksuale gjatë luftës.
Ajo theksoi nevojën që këto raste të trajtohen me prioritet nga institucionet e vendit, prandaj edhe duhet të ndërtohen mekanizmat dhe kapacitetet e nevojshme te specializuar për të garantuar trajtimin e denjë të këtyre rasteve.
Presidentja Jahjaga tha që drejtësia për këto viktima është drejtësi për të gjithë qytetarët, për të gjithë vendin duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të drejtësisë të përkushtohen edhe më tej.
Zv. Ministri i Drejtësisë z. Lirak Çelaj e njoftoi Presidenten Jahjaga se pas kërkesës së saj këto institucione kanë formuar grupin punues për të përpiluar një plan veprimi për strategjinë që do të udhëheq trajtimin dhe adresimin e rasteve të kësaj kategorie të krimeve të luftës, i cili pritet të jetë i gatshëm në fund të muajit Prill.
U.D. e Këshillit Prokurorial të Kosovës z. Sylë Hoxha dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës Enver Peci shprehën gatishmërinë e institucioneve që drejtojnë për të trajtuar me prioritet këto raste dhe për të bashkëpunuar ngushtë me institucionet e tjera dhe organizatat jo qeveritare të grave.
Përfaqësuesja e EULEX znj. Jaroslava Novotna shprehu përkushtimin e këtij misioni për të asistuar institucionet e vendit në këtë proces.