04 Maj 2024

Emërohen edhe tre atashe ushtarak të FSK-së

Prishtinë, 28 prill - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe ai i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku kanë zyrtarizuar të hënën vendimin për dërgimin e tre atasheve ushtarak të sigurisë në ambasadat e Kosovës në Shqipëri, Suedi dhe Turqi, iniciativë në përputhje të plotë me misionin e diplomacisë kosovare.

Në Shqipëri është emëruar nënkolonel Enver Dugolli, në Turqi nënkolonel bekim Osmani dhe në Suedi nënkolonel Sefer Shyti.

Duke e vlerësuar ditë të veçantë vendimin për dërgimin e atasheve ushtarak në këto tri shtete, ministri Hoxhaj ka kujtuar edhe dërgimin e më hershëm të tre atasheve tjerë në SHBA, Bruksel dhe Gjermani.

Sipas tij, tani numri i vendeve anëtare të NATO-së ku vendosen atashetë e sigurisë arrin në pesë dhe se kjo flet për një kaptinë të re të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe NATO-s.

Derisa ka përmendur angazhimin e Qeverisë dhe të ministrit Çeku për transformimin e FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, ministri Hoxhaj ka shtuar se kjo shënon një  kaptinë të re që është hapur, e që duhet të shkruhet në të ardhmen përmes vendimeve dhe politikave konkrete.

“FSK deri më tash kanë bërë një punë të shkëlqyeshme dhe kanë krijuar një bindje të plotë në rajon se Kosova është një faktor paqe, stabiliteti dhe sigurie”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj i ka ofruar përkrahje ministrit Çeku duke thënë se MPJ do të vazhdojë të ndihmojë edhe më tej në këtë drejtim, ndërsa ka theksuar se nuk do të mungojë bashkëpunimi institucional ndërmjet dy ministrive.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka mbajtur një ligjëratë para kadetëve të FSK-së, ku ka folur për prioritetet e politikës së jashtme të Kosovës të ndërlidhura me aspektet e sigurisë.

Gjatë ligjëratës, ministri Hoxhaj ndër të tjera tha se ekzistojnë katër burime të fuqisë së fortë që kryesisht i disponojnë shtetet e mëdha: sipërfaqja, numri  i banorëve, kapaciteti ekonomik dhe ushtarak.

Viteve të fundit, sipas Hoxhajt, është zhvilluar edhe fuqia e butë të cilën e shfrytëzojnë shtetet e vogla. Ai ka thënë se Kosova gjatë katër viteve të fundit ka aplikuar një kombinim të të dyjave, që quhet edhe si fuqi e zgjuar.

Me rastin e emërimit të atasheve ushtarak, ministri Agim Çeku, tha se; “Ne së bashku me ministrin Enver Hoxhaj emëruam tre atashe ushtarak, në Shqipëri, Turqi dhe Suedi”,  ku synim yni është të dërgojmë atashe të përgatitur në ambasadat tona, me qëllim që të kemi një çasje më të mirë, me ato vende ku kemi bashkëpunim në nivel ambasadash.
Për mua sot, është një ditë e veçant emërimi i tre amabasadorëve, të cilët janë të përgatitur profesionalisht në akademinë ushtarke të Kroacisë, në Zagreb.

 “Këta atashe që i kemi propozuar i kemi përgatitur mirë. Ky është një fuqizim i bashkëpunimit tonë me vendet përkatëse. Ne i kemi zgjedhë pikërisht vendet me të cilat kemi një bashkëpunim shumë dinamik, të frytshëm dhe që është e nevojshme të kemi atashetë tonë pranë ambasadave....”

Në fund, ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku, shtoi se janë kontaktuar vendet pritëse, ku janë qartësuar detyrat dhe obligimet e atasheve ushtarak.“Ne jemi të interesuar ta rrisim këtë rrjet në përputhje edhe me nevojat tona, dhe në përputhje me mundësitë tona buxhetore.”

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)