Ekstremizmi radikal paraqet kërcënim serioz për rajonin
Prishtinë, 22 korrik - Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të kryesuar nga kryetari Daut Haradinaj, raportoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, lidhur me arrestimet e fundit në afërsi të liqenit të Badovcit, të pesë personave të dyshimtë për përfshirje në vepra penale, që ndërlidhen me terrorizëm.
Maxhuni pasi ka njoftuar Komisionin për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, duke e vlerësuar atë si të qetë dhe nën kontroll, tha se Policia e Kosovës vazhdon të përmbushë detyrat dhe obligimet e saj në bazë të planit strategjik.
Duke u ndërlidhur me rastin e fundit në afërsi të liqenit të Badovcit, theksoi faktin se ekstremizmi radikal dhe i dhunshëm paraqet kërcënim serioz për rajonin.
Maxhuni shtoi se këto tendenca janë një sfidë dhe paraqesin një kërcënim jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin e gjerë.
Pasi përmendi angazhimet drejt zbardhjes së këtyre rasteve nga institucionet e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me faktorët relevantë, me theks të veçantë AKI-në, Maxhuni ka sqaruar se aktualisht janë rreth 100 kosovarë të përfshirë si pjesëtarë në konfliktet në Lindjen e Mesme.
Numri i përgjithshëm i qytetarëve kosovarë në periudha të ndryshme kohore të përfshirë në konfliktet në Lindjen e Mesme është rreth 300. Mbi informacionet që kemi, aktualisht llogaritet të jenë diku rreth 100 kosovarë si pjesëtarë në konfliktin në Siri dhe Irak, tha drejtori i PK-së, duke shpalosur në detaje ngjarjet që ndërlidhen me liqenin e Badovcit.
Ai tha se në liqenin e Badovcit janë arrestuar pesë persona të dyshimtë dhe se paraprakisht Policia ka pasur informacion se mund të ndodhin veprime të caktuara.
Sipas tij me kohë janë inkuadruar të gjitha njësitet relevante policore, duke përfshirë edhe njësitet kundër terrorizmit, të cilët si rezultat i punës së pandërprerë kanë arritur që të arrestojnë këta persona. Gjatë kontrollit në automjetet e të dyshuarve janë gjetur disa gjëra, që konsiderohen se kanë pasur mundësi të përdoren për elemente terroriste. Pesë personat e arrestuar gjenden nën masën e arrestit.
Ky rast është parandaluar falë efikasitetit dhe bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë dhe vullneti i qytetarëve për dhënien e informacionit është për tu inkurajuar, tha Maxhuni, duke sqaruar mes tjerash se Policia ka në aplikim një mori masash parandaluese në teren, në mënyrë që Kosova të jetë vend i sigurt.
Duke u përgjegjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, nëse akoma ka vend për shqetësime nga raste të tilla terroriste, Maxhuni u shpreh: Ka vend për kujdes, por nuk ka vend për shqetësim, ngase ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për vendin tonë që të ketë siguri.