16 Janar 2025

Ekstremizmi i dhunshëm në Kosovë, gratë pjesëmarrëse apo viktima

Mitrovicë, 15 shtator - Institucionet vendore dhe shoqëria civile duhet të bëjnë më shumë në rehabilitimin dhe re-integrimin e grave kosovare të cilat kthehen nga luftërat prej Sirisë dhe Irak, u tha sot në tryezën kushtuar luftës kundër radikalizmit fetar që u mbajt në Mitrovicë.

Në tryezën e organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS),e mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë u diskutua rreth sfidave në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë, fenomen i cili ndikoi  në pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës,  si luftëtarë të huaj, në luftën e Sirisë dhe Irakut, duke përfshirë edhe gratë. Po ashtu u diskutua  dhe për masat  që duhet ndërmarrë në parandalimin e përhapjes së rrymave ekstremiste dhe radikale në Kosovë.

Diskutuesit në tryezë u shprehën kundër çdo lloji të diskriminimit të grave të cilat kthehen nga këto vatra të luftës.

Skender Perteshi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë tha: “Nevojitet që strategjia e qeverisë të jetë sa më gjithëpërfshirëse për t’u ofruar ndihmë sidomos grave dhe fëmijëve që kthehen ngase të dhënat tregojnë se pjesëtarët e ISIS nga Kosova janë ndër të vetmit që marrin edhe familjet me vete në vatrat e luftimeve,madje edhe fëmijët”.

Besa Ismaili nga Qendra Kosovare për Dialog tha se gratë kosovare që kthehen nga luftërat në Siri dhe Irak janë të varfra, të paarsimuara, të paragjykuara, të diskriminuara dhe të izoluara. Si rezultat këto gra  nuk kanë asnjë mekanizëm që mund të jetë zëri i tyre”.

Imami Ekrem Avdiu, imam në Mitrovicë  tha se  gratë kosovarë ato që janë aktualisht në Siri dhe ato që janë kthyer  janë viktima e jo pjesëmarrëse . “Margjinalizimi i pjesës fetare të shoqërisë bën që të zgjedhën forma radikale që ushqejnë islamofobinë e që janë goditëse për komunitetin fetar mysliman. Nuk po bëhet dallim nga praktikuesi i fesë dhe ekstremisti”.

Shqipe Mjekiqi, këshilltare e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme tha: “Ne në MPB po përpiqemi që t’i identifikojmë faktorët që bëjnë që këto gra t’i bashkohen luftërave në Siri dhe Irak ngase vetëm në Kosovë po ndodh që gratë dhe fëmijët t’i bashkohen një lufte të huaj”.

Ky aktivitet është pjesë e projektit të mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/ Përfaqësuesit Special të BE-së: “Rrëfimi i dy qyteteve: Radikalizmi dhe Kundërpërgjigja  në Vushtrri dhe Mitrovicë”, qëllimi i të cilit është rritja e aktivizmit dhe vetëdijesimit qytetar në parandalimin e përhapjes së ekstremizmit, si dhe kontributi në  kundërpërgjigjen ndaj përhapjes së propagandës së grupeve ekstremiste në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)