Ekstremistët serbë ndalojnë KFOR-in në Zveçan
Mitrovicë, 7 nëntor - Serbët kanë bllokuar sot kalimin e automjeteve të KFOR-it në Zveçan, të cilat ishin nisur drejt vendkalimit kufitar Jarinjë.
Ndalimi i autokolonës të KFOR-it është ndaluar rreth orës 05.00 të mëngjesit, me arsyetimin se nuk lejohet sipas marrëveshjes që të kalojnë mjete dhe makineri të rënda transportuese.
Pasi janë ndaluar nga serbët, trupat e KFOR-it janë kthyer në drejtim të Mitrovicës Jugore.
KFOR-i nga ana tjetër, ka bërë të ditur se mjetet dhe makineria e rëndë ishte dedikuar për të sanuar urën në Lozhishtë në rrugën midis Zveçanit dhe Leposaviçit, e cila të çon drejt Jarinjës.
KFOR-i nëpërmjet një deklarate për shtyp ka përsëritur kërkesën për lirimin e rrugëve për të bërë të mundur lëvizjen e automjeteve të tij, përfshirë edhe makineritë e rënda.