Ekstradohet Sedat Gashit nga Shqipëria në Kosovë
Prishtinë, 15 tetor - Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, sot me datë 15 tetor 2010, me përkrahjen e Policisë së Kosovës, me sukses ka kryer ekstradimin nga Shqipëria për në Kosovë, të shtetasit Sedat (Brahim) Gashi, i lindur më 30 prill 1980, në Prizren, i dënuar për veprën penale “Grabitje” dhe i njëjti është dënuar me katër vjet heqje lirie, nga Gjykata e Qarkut në Pejë.
Me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Kosovës, kundër Gashit me 6 shkurt 2009 ishte lëshuar Urdhër Arrest Ndërkombëtar, në bazë të cilit ishte bërë i mundur arrestimi me 2 korrik 2010 në Republikën e Shqipërisë.
Pas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë të Republikës të Kosovës dhe pas aprovimit të të njëjtës nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Shqipërisë, sot është bërë dorëzimi i Gashit, nga Policia Shqiptare, tek Policia e Kosovës në pikën kufitare Morinë.