Ekspertët inkurajojnë për shqiptimin e masave dhe dënimeve alternative
Vushtrri, 3 nëntor- Shërbimi Sprovues në bashkëpunim me Projektin e Binjakëzimit \"Fuqizimi i Shërbimit Sprovues dhe Korrektues, ka organizuar një tryezë me temën Shqiptimi i Masave dhe Dënimeve Alternative në Kosovë.
Në këtë tryezë morën pjesë: UD. Kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës, gjyqtarë, prokurorë, ekspertë gjerman të Projektit të Binjakëzimit, përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Sprovues dhe nga Zyra rajonale e Mitrovicës.
Gjatë këtij takimi u diskutuan tema të ndryshme që kanë të bëjnë me ekzekutimin e masave dhe dënimeve alternative, me theks të veçantë në sensibilizimin e akterëve kryesorë për mundësitë e rritjes së numrit të masave dhe dënimeve alternative.
UD Kryetari i Gjykatës Themelore, Ali Kutllovci prezantoi punën e gjykatës, vështirësitë që ka regjioni i tyre dhe bashkëpunimin me Shërbimin Sprovues.
Ekspertët gjerman theksuan se legjislacioni i Kosovës është mjaft i avancuar dhe si i tillë ka hapësirë të mjaftueshme për shqiptimin e masave dhe dënimeve alternative dhe inkurajoj gjyqtarët dhe prokurorët për shqiptimin e tyre.
Shërbimi Sprovues potencoi faktin se ka kapacitete të mjaftueshme njerëzore dhe profesionale për të mbikëqyrë ekzekutimin e masave dhe dënimeve alternative. Pastaj u hap debati duke u ndare përvojat e gjyqtarëve, prokurorëve, zyrtarëve Sprovues dhe të ekspertëve gjerman në lidhje me masat dhe dënimet alternative.
Në fund u rekomandua që të shfrytëzohen sa më shumë dispozitat ligjore për shqiptimin e masave dhe dënimeve alternative, si dhe kapacitetet që ka Shërbimi Sprovues i Kosovës për mbikëqyrjen dhe ekzekutimin e këtyre masave dhe dënimeve.