Edhe pas marrëveshjes situata në veri e pandryshuar
Mitrovicë, 29 prill - Situata e sigurisë në veri mbetet e pandryshuar edhe pas marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kështu u vlerësua të hënën në takimin e Komitetit lokal për siguri publike në Komunën e Mitrovicës, ku morën pjesë edhe përfaqësues të strukturave vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë.
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha se situata vazhdon të jetë specifike. Ai kërkoi që sa më parë të nis implementimi i marrëveshjes së Brukselit në mënyrë që të krijohet ambient i sigurt edhe në veri të Kosovës.
Haziri theksoi se në veri janë kundër marrëveshjes ata që janë mësuar me gjendjen kaotike dhe që e kanë shfrytëzuar për kontrabandë. Këta zëra vijnë nga pala serbe në veri meqë atyre ju konvenon një situatë e tillë, një situate anarkie ku me vite të tëra profesion i tyre ka qenë kontrabanda dhe kriminaliteti.
Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, u fokusua në situatën e sigurisë gjatës javës së fundit. Ai përmendi dy protestat në veri kundër Marrëveshjes së Brukselit, që kanë kaluar pa ndonjë incidentet.
Ndërsa duke folur për përleshjen që ka ndodhur gjatë vikendit në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës ndërmjet të rinjve serbe e shqiptarë, ai tha se ka qenë një rastësi dhe nuk ka të bëj me incident ndëretnik. Sipas informative që kemi përleshja në mes të rinjve ka nisur për shkak të një biçiklete.
Drejtori Bala, kërkoi në fund nga strukturat e sigurisë që të vazhdojnë praninë e shtuar në veri, duke pasur parasysh situatën e paqëndrueshme.